Shqipëria

Rama përplaset me gazetaren: Pyete pronarin a jep llogari për vëllain e tij

Konferenca për media e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në aeroportin Nënë Tereza është mbyllur me një përplasjeje të tij me një gazetare të një portali, përcjell albinfo.ch.

Pyetja e gazetares: Si ndiheni kur dy persona që u keni besuar ministrinë më të rëndësishme, i pari në arrest shtëpie për trafik droge, dhe i dyti akuzohet se ka mbrojtur të vëllain. A nuk ka në PS përfaqësues që nuk kanë kushërinj ose vëllezër që merren me trafik droge që mund ta drejtonin këtë ministri?

Edi Rama: Së pari, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Së dyti pyet pronarin se dhe ai ka një vëlla. A do ishte i gatshëm ai pronari juaj, të jepte llogari për vëllain e tij.

(Pronari i portalit është Kasem Hysenbelliu, ndërsa vëllai i tij është Irfan Hysenbelliu, pronar mes të tjerash i News 24 dhe gazetës Panorama. Dy vëllezërit i kanë ndarë bizneset pas një grindjeje).

Rama: Më falni, nuk jemi duke bërë debat. Ju më bëtë pyetjen, unë po ju jap përgjigjen. Ju kërkoni përgjigje nga unë dhe përgjigjja ime është kjo: Pyesni pronarin tuaj dhe thuajini që a ka ai vetë ndonjë përgjegjësi për vëllain, se janë edhe në të njëjtën fushë të dy. Unë e gjej krejt pa etikë që ju vini këtu gazetare për të bërë pyetje dhe merrni mikrofonin për të bërë propagandë.

Gazetarja: Nuk është propagandë se kemi dy ministra të akuzuar për trafik droge… nuk mund të pranoj që të thoni se është propagandë.

Rama: Epo hajde ti këtu bëje ti konferencën e shtypit…