Shqipëria

Rama pas takimit me kryediplomatin britanik: Diskutuam edhe për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha sot se në një takim në Tiranë me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, kanë biseduar edhe për ecurinë e “proceseve të paqtimit dhe të bashkëpunimit në rajon”, përcjell albinfo.ch.

Rama tha në një konferencë të përbashkët për media pas takimit se Mbretëria e Bashkuar ka interes të veçantë që ta shohë përfundimin me sukses të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilin tha se ka rrezik për kthim mbrapa.

“Kemi diskutuar edhe për ecurinë e proceseve të paqtimit dhe të bashkëpunimit në rajon. Lordi Cameron është një mbështetës i vendosur i këtyre proceseve dhe dihet botërisht që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht një interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë, por ku në vijimësi ka edhe ngecje në vend apo në vijimësi dihet edhe rreziku i kthimit mbrapa”, tha Rama.

Paraprakisht, kryeministri shqiptar përmendi fillimisht se me kryediplomatin britanik kanë diskutuar për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, për të cilin tha se është “projekt strategjik me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën”.