Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi sot një konferencë me kryediplomaten e BE-së, Kaja Kallas, e cila ndodhet për një vizitë të shkurtër në Tiranë. Në fjalën e tij, Rama theksoi se pa BE, procesi i barazisë para ligjit në drejtësi do të ishte i pamundur, përcjell albinfo.ch.
Rama tha se, me vullnetin e qeverisë, është vendosur të mbështetet drejtësia dhe zbatimi i ligjit.
Rama shtoi se, që nga viti 1912, nuk ka pasur asnjëherë një njeri apo zyrtar që është përballur me drejtësinë dhe barazinë para ligjit.
“Ju them këtu se, duke nisur që nga viti 1912, nuk ka pasur asnjëherë një njeri apo zyrtar që është përballur me drejtësinë dhe barazinë para ligjit. Shqipëria ka kaluar nga Perandoria Osmane në diktaturën komuniste dhe përsëri në tranzicion, por kurrë nuk ka pasur prej kaq vitesh një përballje të zyrtarëve të lartë me drejtësinë dhe para ligjit. Nuk varet nga vullneti i një qeverie apo një tjetre, kryeministri apo një tjetri, të jetë normë e panegocueshme dhe e pashkelshme nga askush më, dhe nëse bëhemi pjesë e familjes, kjo është e patjetërsueshme më tej.
Kjo lidhet me vullnetin e kësaj qeverisjeje që drejton vendin dhe bëri reformën në drejtësi dhe mbështetjen e BE-së në këtë proces si asnjëherë tjetër. E parë me perspektivë historike dhe me sytë e të ardhmes, unë nuk jam i kënaqur, por jam krenar, sepse është nga ato gurë themeli të rëndësishëm që historia i kujton dhe i mban si momente të historisë dhe të vërtetës. Do ta mbështesim këtë proces të barazisë para ligjit dhe Bashkimi Europian na mbështet në këtë rrugë, sepse pa BE, ky proces do të ishte i pamundur”, – tha Rama.