Kosova

Rama i quan komunistë ata që po e kritikojnë rreth Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot ka reaguar sërish karshi kritikave të vazhdueshme që po merr lidhur me propozimin që bëri për draft-statut për asociacionin.

Madje ai i quajti komunistë në mendime ata që e kundërshtojnë propozimin, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.

Siç u shpreh Rama, “rajoni nuk është vetëm i tyre [Kosovës dhe Serbisë], por edhe i yni”.

“Mua më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun dhe asociacionin është pritur mirë nga aleatët tanë, ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar pa e ditur as përmbajtjen, si në Prishtinë dhe Beograd, duke thënë se as nuk e presin dhe as nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria, sepse sipas tyre, secila duhet ta bëjë vetë Asociacionin sipas mendjes së vet, unë u them dy gjëra”, tha Rama.

Ai u përgjigjet kritikëve të tij.

“Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe jo me çfarë tha. Së dyti, vërtet janë ata që vendosin secili për vete, por ky rajon nuk është vetëm i tyre, por edhe yni. Prandaj nëse atyre iu vjen akoma për mbarë të luajnë akoma luftash një çerek shekulli pasi lufta ka mbaruar, ndërkohë që as njëra palë edhe as tjetra s’i hapin dot njëra-tjetrës jo luftë, por asnjë të shtënë që kapërcen kufijtë, sepse aty është Amerikë, NATO dhe aleatëve tanë po u soset durimi, sepse po kërkojnë paqe, unë u them se ne jemi të interesuar për atë lojë luftash, por jemi kundër asaj loje”, tha Rama gjatë fjalimit në 32-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.

Sa i përket marrëdhënies me kryeministrin Kurti, Rama tha se kanë qëllime të njëjta, por ndjekin rrugë të ndryshme.

“Qëllimi im dhe i kryeministrit të Kosovës janë të njëjta, por rrugët për arritjen e atij qëllimi nuk i shohim njësoj, madje gjithnjë e më ndryshe sidomos kohët e fundit. Për mua kursi i përplasjes me aleatët tanë është vetëm një kuturisje me pasoja të pallogaritshme, por edhe një aventurë pa kuptim për të gjithë kotësinë e vet”, deklaroi Rama.