Shqipëria

Rama hedh poshtë mundësinë e kampeve refugjate në Shqipëri

Disa nga mediat me prestigjioze britanike, si The Times apo Daily Mail, kanë publikuar lajmin për një marrëveshje mes qeverisë britanike dhe asaj shqiptare për ngritjen e një kampi refugjatesh në Shqipëri.

Të përditshmen londineze shkruajnë se Britania e sheh sistemimin e emigrantëve që kërkojnë azil në këtë shtet, pasi arrijnë në mënyrë të paligjshme aty do të dërgohen në qendrën e re në Shqipëri brenda 7 ditësh nga momenti që kapen, duke e vlerësuar këtë si të vetmen mënyrë për të frenuar ardhjen e tyre nga Franca veriore.

Burimet e gazetave brenda kabinetit qeveritar britanik flasin dhe për detajet e marrëveshjes që, sipas tyre, do t’i kushtojë çdo taksapaguesi britanik 100,000 £ për emigrant, për të përballuar kostot si për fluturime dhe akomodim.

Madje, një ministër i cituar, por që s’ka dashur të identifikohet, u ka thënë gazetarëve të The Times se hapja e kampit në Shqipëri është shpresa e vetme e tyre, pasi masë tjetër nuk po funksionon. Edhe pse ministri që është burimi i të përditshmes britanike është shprehur optimist se janë në rrugë të mirë me qeverinë shqiptare për ta arritur këtë marrëveshje, kryeministri shqiptar e ka mohuar në mënyrë kategorike një lajm të tillë.

“Shqipëria s’do jetë kurrë një vend ku vendet shumë të pasura do krijojnë kampe për refugjatët e tyre, asnjëherë!”

Kjo është e vetmja çështje për të cilën kryeministri Rama pranoi të fliste pas mbledhjes me drejtuesit politikë të qarqeve, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.