Kosova

Rama: Ambicia jonë është heqja e kufirit Kosovë-Shqipëri

Është bërë e ditur se në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ka nisur mbledhja e gjashtë e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe e Shqipërisë.

Në fjalën e tij, në nisje të kësaj mbledhjeje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se kjo mbledhje është një mundësi shumë e mirë për të bërë një bilanc të hapave të hedhur dhe hapat e mëtejshëm.

“Deklarata e përbashkët e bashkëpunimit strategjik, e nënshkruar në Prizren në vitin 2014, mbetet udhërrëfyes i çmuar për integrimin dhe bashkëpunimin sa më të ngushtë në të gjitha fushat mes dy shteteve tona. Hapat e hedhur nuk janë të vegjël”, ka thënë Rama, shkruan Telegrafi.

Rama shtoi se ambicia e tyre është heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të 4 lirive të BE-së në rajonin tonë, duke nisur nga më e thjeshta dhe më kuptimplota, heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që të dyja ministritë e Brendshme të dy qeverive të intensifikojnë punën dhe të krijojnë një data-bazë të përbashkët për të mundësuar kontrollin në kohë reale të hyrjeve e daljeve në të gjitha pikat kufitare të perimetrit tonë të përbashkët që do na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktiviteteve të paligjshme dhe abuzimit me lirinë e lëvizjes”, tha Rama.

Ai ka folur edhe për portin e Durrësit, duke thënë se janë rrugës që ky port të shndërrohet edhe në një port për Kosovën.