Shqipëria

Rama akuzon mediet dhe opozitën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë akuza të rënda drejtuar medieve dhe opozitës, që sipas tij, po baltosin punën e policisë dhe po krijojnë një perceptim të gabuar tek qytetarët.

Në një takim me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Rama kërkoi më shumë angazhim të policisë në luftën ndaj krimit, përcjell albinfo.ch.

“Kriminaliteti matet me statistika por vlerësohet dhe me perceptim. Statistikat janë nga dje dhe sot në anën tonë, flasin qartë se ku ishte dhe ku është vendi në raport me krimin vit pas viti. Por lufta e egër politike dhe mediatike për të krijuar perceptimin e kundërt as nuk do ndalet, as do të zbutet.

Vetëm do të përshkallëzohet. Më shumë shpifje, fabrikime, aktorë audiosh dhe videosh: Krimi, krimi. Krimi në konferencë, krimi në postim, krimi në debat, krimi në komente, krimi në mëngjes, drekë, darkë. Puna juaj është të kundërpërgjigjeni ndaj kësaj barbarie politike dhe mediatike me fort dhe më qartë se asnjëherë”, ka thënë Rama.