Lajme
Radikalizohet opozita në Kuvendin e Kosovës
Situatat në Kuvendin e Kosovës eskaloi enda pa filluar mirë seanca. Deputetë e opozitës kësaj here përdorën edhe sprej kundër zyrtarëve qeveritarë. Dhuna u bart edhe në shesh
Dhuna dhe tensionet ndërmjet mazhorancës dhe opozitës janë kthyer sërish në Kuvendin e Kosovës, madje kësaj here edhe më të përshkallëzuara se herëve të kaluara. Në seancën e sotme, opozita e bashkuar përveç disa bombolave të gazit lotsjellës, ka përdorur edhe sprejin djegës në drejtim të zyrtarëve qeveritar dhe Policisë së Kosovës.
Seanca e sotme ishte e jashtëzakonshme pasi që ishte thirrur nga Qeveria e Kosovës, për të shqyrtuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2016. Mazhuranca ia arriti qëllimit duke miratuar këtë projektligj në vlerë 1.6 miliard euro, por në një sallë të improvizuar në katin e katërt të Kuvendit, pa prezencën e opozitës.
Situatat në Kuvend eskaloi enda pa filluar mirë seanca, pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, provoi të kalojë përmes sigurimit të hedh sprej në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka shpallur pauzë dhe më pas ligjvënësit e koalicionit shkuan në sallën tjetër, kurse opozitës iu mbyllen dyert.
Këtë seancë e kanë përcjell nga afër edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, të cilët janë shprehur tejet të zhgënjyer me dhunën e opozitës në Kuvend.
Kryeministri Isa Mustafa gjatë fjalimit në sallën e improvizuar, i ka cilësuar të papranueshme, por edhe kriminale disa sjellje të deputetëve opozitar në Kuvend.
“Kjo që ndodhi sot mendoj që është akt kriminal i individëve, për të cilat institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin masa. Është e papranueshme një tolerim dhe sjellje e tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Mustafa duke kërkuar që t[ merren masa ndaj deputetëve që po përdorin dhunë.
Ndërsa edhe më i ashpër në deklarata ishte lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi. “Askush nuk do të mund ta bllokojë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe toleranca ndaj këtyre akteve të dhunshme dhe kriminale duhet të jetë zero”, është shprehur Thaçi.
Në anën tjetër, opozita duke u ndjerë e anashkaluar përdori gazin lotsjellës edhe nëpër korridoret e Kuvendit, ndërsa edhe Policia e Kosovës iu kundërpërgjigj deputetëve opozitar me sprej. Si pasojë e gazit lotsjellës, ndihmën mjekësore kanë kërkuar deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti e Albulena Haxhiu.
Ndërkohë që përplasjet në Kuvend po vazhdonin, para ndërtesës së Kuvendit një grup i aktivistëve dhe simpatizantëve të opozitës po protestonte. Më pas, ky grup është përleshur me njësitë speciale të policisë së Kosovës, duke i sulmuar me gurë e gjësende tjera. Policia në disa raste ka përdorur gazin lotsjellës për shpërndarjen e këtyre protestuesve. Kurse në një rast, deputetët opozitar janë përleshur me policinë derisa po i bashkoheshin grupit të protestuesve. Sipas opozitës, policia po provonte ta arrestonte deputetin e Vetëvendosjes Albin Kurti, kështu që kjo kishte shkaktuar këtë përplasje.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Qeveria e Kosovës, e cila nëpërmjet një komunikate për media dënon dhunën e ushtruar nga opozita në seancën e Kuvendit. Në komunikatën e Qeverisë thuhet se opozita përmes përdorimit masiv të gazrave helmuese rrezikuan seriozisht shëndetin dhe integritetin personal të pjesëmarrësve në seancë, duke tentuar posaçërisht të sulmojnë kryeministrin, Isa Mustafa, dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar.
“Qeveria e Kosovës konsideron se këto veprime ekstreme janë të drejtuara kundër Republikës së Kosovës dhe progresit që po arrihet me përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, akte të cilat kanë për synim zhytjen e Republikës së Kosovës në anarki dhe krim”, thuhet në komunikatë të Qeverisë.
Qeveria e Kosovës, thuhet, se çmon vendosmërinë dhe përkushtimin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të cilët pavarësisht rrezikut me të cilin u ballafaquan votuan në lexim të parë Buxhetin e Shtetit për vitin 2016, duke qenë në shërbim të plotë të interesave madhore të shtetasve të Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës e ndjen të nevojshme të bëjë apel te ata deputetë të opozitës, të cilët pa vullnetin e tyre janë bërë pjesë e veprimeve meskine të disa individëve të ndëshkuar në vazhdimësi me votë nga qytetarët e Kosovës, që të distancohen nga këto akte ordinere të drejtuara kundër shtetit tonë”, thuhet në reagim.
Qeveria e Kosovës, po ashtu, fton organet kompetente që të marrin masat e nevojshme dhe të mos tolerojnë akte që cenojnë shëndetin dhe jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të tjerë, si dhe të mundësojnë kryerjen e detyrave dhe obligimeve zyrtare e ligjore nga bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, tri partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën” janë shprehur të vendosura se nuk do të lejojnë normalitet në Kosovë deri në tërheqjen e marrëveshjeve të nënshkruara nga kryeministri Isa Mustafa, atë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe për Demarkacionin me Malin e Zi.
Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri tha se për aq kohë sa nuk tërhiqen Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi në Kosovë nuk do të ketë normalitet.
“Po shihet qartë që në Kosovë nuk mund të ketë normalitet për sa kohë i kemi dy marrëveshje, njëra për krijimin e ‘Zajednicës’, komunave me shumicë serbe, tjetra për Demarkacionin me Malin e Zi, të cilat po e rrezikojnë për çdo ditë Republikën. Pra, edhe një herë po e themi nuk do të ketë normalitet institucional në Republikën e Kosovës për sa kohë këto dy marrëveshje e kërcënojnë Republikën me zhbërje”, tha Ymeri.
Edhe i lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se derisa nuk ka tërheqje të marrëveshjeve nuk do të ketë normalitet të situatës në Kosovë.
Haradinaj u ka bërë thirrje partive politike, PDK-së dhe LDK-së, që të mos e sjellin Kosovën në krizë më të madhe duke e përkrahur, siç tha ai, “Zajednicën”.
“Në Kosovë nuk ka normalitet pa u anuluar këto marrëveshje”, tha Haradinaj.
Ndërsa lideri i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka thënë që Prokuroria të mos bëhet instrument i politikës dhe e ka ftuar atë që menjëherë t’i fillojë hetimet për ata që kanë bërë shkelje kushtetuese me këto marrëveshje.
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane