Shkurt.ch

Qyteti i Cyrihut mbështet firmat shqiptare

Qyteti i Cyrihut ka vendosur t’i ndihmojë bizneset e të huajve, duke iu mundësuar trajnimin e punëtorëve në veprimtarinë të cilën ata e ushtrojnë.

Për këtë qëllim, kryetarja e qytetit të Cyrihut, Corine Mauch, i ka ftuar më 25 tetor në një takim në Cyrih të gjitha bizneset e interesuara shqiptare në Kantonin e Cyrihut për t’i njoftuar me projektin e quajtur „Të shkollohemi së bashku“.

Lajmin e ka bërë të ditur për albinfo.ch Smajl Tahiraj, përgjegjës në „Ausländerbeirat“ në qytetin e Cyrihut.

Për realizimin e këtij projekti përgjegjës për pjesën administrative do të jetë qyteti i Cyrihut, ndërsa për aftësimin praktik është ngarkuar „Berufslehr-Verbund“ në Cyrih.

Një nismë e tillë është inicuar nga Departamenti për të Huajt „Ausländerbeirat“, të cilin e përbëjnë 23 anëtarë, ku përfaqësohen komunitetet shumicë në Kantonin e Cyrihut.

Konkretisht, një nismë të tillë e kishin inicuar Francesco Genova dhe Smajl Tahiri, anëtarë të „Ausländerbeirat“.

Përfshirja e firmave shqiptare në këtë projekt nuk është e kufizuar.

„Pëparësi e këtij projekti është se do t’u lehtësohet nxënësve shqiptarë gjetja sa më shpejt e një zanati në Cyrih“, tha Smajl Tahiraj.

Një pilotprojekt, ku ishin përfshirë 11 ndërmarrje biznesore, prej tyre 2 shqiptare, kishte rezultuar të jetë i suksesshëm.

Dy nxënëse shqiptare tashmë kanë përfituar nga ky pilotprojekt i qytetit të Cyrihut, duke kryer me sukses aftësimin profesional në dy firma shqiptare.