Kriza në Ukrainë

Qytetet ukrainase goditen me raketa, Putin akuzohet si terrorist

Në një reagim në Twitter, Kuleba shkroi se edhe pse Putini po përdor terror, ai nuk do mund ta shkatërrojë Ukrainën

Shpërthime të fuqishme tronditën mëngjesin e sotëm kryeqytetin Kiev, dhe qytete të tjera të Ukrainës, si shpagim me sa duket për goditjen e urës së Krimesë, të cilën presidenti Vladimir Putin e përshkroi si sulm terrorist.

Sulmet e sotme ishin ndër më intensivet që Kiev ka përjetuar që prej fillimit të luftës, të tmerruar, banorët nxituan të hynin në vendstrehime, ndërsa shtëllunga gjigante tymi të zi janë parë në disa pjesë të qytetit.

Shpërthime pati edhe në Lviv, Ternopil dhe Zhytomyr në perëndim të vendit dhe në Dnipro, në qendër të Ukrainës, raportojnë mediat e huaja, përcjell albinfo.ch.

“Kryeqyteti është nën sulm nga terroristët rusë. Raketat kanë goditur objekte ne disa zona qendrore të tij. Sirenat e alarmit nuk reshtin, çka tregon se rreziku ende nuk ka kaluar. Rrugët qendrore të Kievit janë bllokuar nga oficerët e zbatimit të rij, shërbimet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën”, tha Vitali Klitschko, kryebashkiak.

Shërbimet e emergjencave thonë se ka të vrarë dhe të plagosur, por nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të viktimave. Shpërthimet u dëgjuan rreth orës 08:15, sipas orës lokale, thanë gazetarë e dëshmitarë okularë.

Ato ishin shumë më afër qendrës se çdo sulm i mëhershëm ndaj kryeqytetit ukrainas. Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se sulmet e fundit të Moskës ndaj objektivave civilë në qytetin jugor të Zaporizhjës, ku u vranë 14 persona, përfshirë dhe fëmijë, ishin akt “i terrorizmit në nivel shtetëror”, që sipas tij, dëshmojnë se negocimi me Rusinë është i pamundur.

“Terrorizmi i vazhdueshëm i Rusisë ndaj popullatës civile natyrisht se është refuzim i negociatave të vërteta”, tha Zelensky përmes një video-mesazhi të publikuar në orët e vona të 9 tetorit.

“Terrorizmi në nivel shtetëror është një prej krimeve më të këqija ndërkombëtare”, shtoi ai. Deklaratat e Zelenskyt erdhën pak pasi Putin akuzoi inteligjencën ukrainase për sulmin e fundit ndaj urës që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë. Nga shpërthimi në urën e Kercit, mbetën të vrarë 3 persona.

Pas shpërthimeve me raketa që zgjuan Kievin këtë mëngjes, Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba e ka cilësuar presidentin rus Vladimir Putin si terrorist.

Në një reagim në Twitter, Kuleba shkroi se edhe pse Putini po përdor terror, ai nuk do mund ta shkatërrojë Ukrainën.

“Taktika e vetme e Putinit është terrori mbi qytetet paqësore të Ukrainës, por ai nuk do ta shkatërrojë Ukrainën. Kjo është gjithashtu përgjigja e tij ndaj të gjithë qetësuesve që duan të flasin me të për paqen: Putini është një terrorist që flet me raketa,” shkroi Kuleba në Twitter.

Përveç Kievit, ka raportime se edhe qytetet e tjera ukrainase si Dnipro, Lviv dhe Ternopil  janë goditur nga shpërthimet. Shërbimi i emergjencave në Ukrainë, tha se ka të vrarë dhe të plagosur në Kiev, por ende nuk dihet numri i saktë i viktimave.

Ka raportime se edhe qytetet e tjera ukrainase si Dnipro, Lviv dhe Ternopil  janë goditur nga shpërthimet.

Kjo është hera e parë që Kievi goditet pas disa muajsh dhe shpërthimet duket se kanë ndodhur më afër qendrës sesa sulmet e mëhershme që kanë goditur kryeqytetin ukrainas, qëkur Rusia nisi pushimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Shpërthimet në Kiev vijnë disa ditë pasi ura e vetme që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë, u dëmtua nga shpërthimet.