Lajme

Qytetet e Ballkanit, me nivel të lartë të ndotjes së ajrit

Qytete të mëdha në një sërë shtetesh ballkanike janë goditur nga nivele të rrezikshme të mjegullës ditëve të fundit, duke nxitur zemërim në mesin e qytetarëve dhe paralajmërimeve zyrtare për të qëndruar në hapësira të brendshme dhe për t’ju shmangur aktiviteteve fizike.

Qeveria e Serbisë ka thirrur mbledhje urgjente për të adresuar problemin të mërkurën, pak kohë pasi nivelet e ndotjes së ajrit nxitën masa emergjente në Sarajevë.

Një raport i vitit të kaluar nga Programi për Ambient i OKB-së tha se Sarajeva ka ajrin më të ndotur në Evropë, ndërsa mesatarisht njerëzit që jetojnë në Ballkanin Perëndimor humbin deri në 1.3 vjet si pasojë e ajrit të ndotur, raporton “The Associated Press”.

Edhe policia kroate të mërkurën urdhëroi qytetarët në Zagreb që të shfrytëzojnë transportin publik dhe të shmangin biçikletat dhe skuterët.

Përqendrimet e larta të pjesëzave toksike në ajër janë tipike gjatë dimrit në vendet ballkanike që kryesisht varen nga termocentralet me thëngjill për prodhim të energjisë elektrike, dhe ku njerëzit ngasin vetura të vjetra dhe përdorin dru dhe thëngjill për ngrohje. Ditëve të fundit, kushtet atmosferike pa erë dhe me mjegull të dendur kanë përkeqësuar problemin, transmeton Koha.net.

Derisa dhjetëra qytete përgjatë rajonit po vuajnë, më e goditura ka qenë Sarajeva. Për pjesën më të madhe të javës së kaluar, nivelet e ndotjes së ajrit kanë qenë së paku dy herë – e në raste deri në tetë herë – më të larta sesa limit i sigurisë i përcaktuar nga Bashkimi Evropian.

Me gjithë ndotjen e lartë të ajrit në Beograd, zyrtarët shëndetësorë qeveritarë kanë këshilluar që të mos bëhet panik. Ata ia atribuojnë problemin konsumit të lartë të energjisë elektrike, pajisjeve të vjetra industriale dhe përdorimit të thëngjillit jocilësor për ngrohje gjatë dimrit.

Por, ekspertët kanë paralajmëruar se këto dhe telashe të tjera ambientaliste mund të pengojnë shtetet e Ballkanit drejt anëtarësimit në BE.

Ambasada suedeze në Bosnjë këtë fundjavë paralajmëroi në Twitter se Sarajeva është “në një kategori të veten kur kemi të bëjmë me cilësinë e keqe të ajrit”.

Edhe qytetet e Kosovës po përballen me ajër shumë të ndotur ditëve të fundit. Kjo po ndodh vazhdimisht gjatë sezonit të dimrit, shkruan GE, përcjell albinfo.ch.