Kosova

Qytetarja: Në listën e votuesve, emri i vëllait tim të vdekur para 12 vjetësh

Një qytetare nga Prishtina, e quajtur Shqipe Makolli, sot e shfrytëzoi të drejtën e saj për të votuar në shkollën “Nazmi Gafurri” në kryeqytet.

Teksa po nënshkruante në listën e votuesve, Shqipja ka parë emrin e vëllait të saj të ndjerë, Ilir Makolli.

Emri i tij ende figuron në listat e votuesve dhe ajo tha se është fjalosur me komisionarët dhe vëzhguesit në qendrën e votimit, dhe pas rezistencës së saj, përfaqësuesit i kanë bërë një x emrit të vëllait të saj, transmeton Rtv21.

Gjatë ditës dhjetëra qytetarë kanë raportuar se emrat e familjarëve të tyre të ndjerë figurojnë ende në listat zgjedhore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati mbajtur mbledhjen, në të cilën është marrë vendim për pastrimin e listave zgjedhore, ndërsa ka njoftuar edhe për numrin e përgjithshëm të votuesve në zgjedhjet e së dielës më 6 tetor.

Ata bënë të ditur se lista preliminare e votuesve përmban rreth 1 milion e 972 mijë e 466 emra të votuesve. Krahasuar me listën përfundimtare të votuesve të Zgjedhjeve Lokale të datës 22 tetor 2017, për këto zgjedhje, lista preliminare e votuesve përbën 115 mijë e 215 emra të votuesve më shumë.

Gjithashtu, KQZ vendosi edhe për largimin e 33 mijë e 791 emrave të votuesve si të vdekur ose si votues që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.