Sport

Qytetarët kundër Lojërave Dimërore Olimpike

Banorët e qytetit kanadez Kalgari kanë votuar kundër mundësisë që ky vend të jetë nikoqir i Lojërave Olimpike Dimërore që do të mbahen në vitin 2026. Më shumë se 56 përqind e votuesve e kanë kundërshtuar këtë ide. Ky rezultat në Kalgari nënkupton që kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi dhe qytetet italiane, Milano dhe Kortina D’Ampezzo, do të jenë qytetet e vetme që synojnë të jenë nikoqire të kësaj ngjarjeje globale, përcjell albinfo.ch.

Interesimi për organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore dhe atyre Verore ka rënë për shkak të rritjes së shpenzimeve në aspektin përgatitor.

Komiteti Olimpik do ta publikojë emrin e nikoqirit të këtyre Lojërave në qershor të 2019-ës.

Qyteti zviceran Sion, Saporo në Japoni dhe Grazi në Austri, po ashtu janë tërhequr nga dorëzimi i ofertave këtë vit.

Votimi në Kalgari nuk ka qenë detyrues, megjithatë këshilli pritet ta respektojë këtë rezultat kur të takohet ditën e hënë. Këshilltari i këtij vendi, Sean Chu, ka thënë se rezultati ka treguar “mjaftueshëm se çfarë duhet bërë”.

Komiteti Olimpik Kanadez ka thënë se është i zhgënjyer me rezultatin, mirëpo do ta respektojë atë.