Kosova

Apel qytetarëve të Kosovës për mosfalsifikim të dokumenteve për vizë

Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët për kujdes të shtuar sa i përket falsifikimit të dokumenteve. Sipas njoftimit të policisë, ky institucion ka pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave nga ambasadat në Kosovë që lidhen me dokumentet për aplikimin për vizë.

Sipas Policisë së Kosovës, disa prej dokumenteve më së shpeshti të falsifikuara janë: certifikata e gjuhës gjermane, dokumenti i Trustit – kursimeve pensionale dhe dokumenti i pasqyrës bankare.

Me këtë policia apelon te qytetarët të kenë kujdes e të mos bien pre e personave që marrin përgjegjësinë për kompletimin e dokumentacionit për aplikim për pajisje me vizë.

Policia shton se është i lehtë identifikimi dhe verifikimi i dokumenteve dhe kësisoj, personat që dorëzojnë dokumente të falsifikuara kryejnë edhe veprën penale të falsifikimit të dokumenteve që dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet.