Lajme

Qielli është i vetmi limit për astronomen shqiptare

Pranvera Hyseni, astronomja që i bëri gjithë shqiptarët krenar për arritjet e saj profesionale

Talenti dhe gjeniu i njeriut mund të shprehet shpeshherë edhe përballë diçkaje të pazakontë, siç është fusha e astronomisë. Mjafton dëshira dhe vullneti për të arritur realizimin e ëndrrave, në destinacionin e duhur. E kush më mirë mund të na vërtetojë këtë se sa Pranvera Hyseni, astronome shqiptare, me ambicie të mëdha, shkruan albinfo.ch.

Ajo bëri shumë “zhurmë” në Kosovë për arritjet e saj dhe çmimet e fituara si astronome.

Ani pse e lindur dhe e rritur në Kosovë, me mundësi dhe mjete jo të mira për astronomi, nuk e ndaloi së realizuari ëndrrën e saj.

Që në moshë të re kishte tërheqje ndaj fushës së astronomisë, duke u “zhytur” thellë në gjithësi, se një ditë ka për t’u bërë një studiuse astronomike, shkruan tutje albinfo.ch.

Sheti i Kosovës nuk ka ofruar mundësi njohjeje me fushën e astronomisë dhe vazhdon ende të ketë mungesa mjetesh për këtë lëmi.

Pavarësisht kësaj, Pranvera, edhe pse në moshë të re, pasionin që kishte për astronomi, bëri që në janar të vitit 2015 të themelojë organizatën “Astronomy Outreach Kosova”, bashkë me disa profesorë dhe një numër të rinjsh të apasionuar pas astronomisë.

“Në fillimet tona, ne kemi startuar në mënyrë amatore, me disa teleskopë që kemi siguruar si donacion nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Përmes këtyre pajisjeve, jemi munduar të realizojmë aktivitete të ndryshme, edukative- shkencore në shkolla të ndryshme të Kosovës, duke u dhënë një mundësi që ata të mund të vrojtojnë trupat qjellorë, diçka të re që në shtetin e Kosovës nuk ka qenë më herët”, është shprehur Pranvera në një intervistë.

Duke punuar me vullnetin e mirë, ky grup i të rinjve realizoi organizatën joqeveritare “Astronomy Outreach Kosova” që për pak kohë arriti të bëhet e njohur ndërkombëtarisht edhe nga figurat e njohura shkencore, që tani janë duke gëzuar mbështetje maksimale në të gjitha format.

Teleskopët e parë në këtë organizatë erdhen nga Shtetet e Bashkuara dhe sigurimi i pajisjeve ka qenë shumë e rëndësishme për këtë organizatë, shkruan albinfo.ch.

Pranvera është themeluese dhe drejtoreshë e “Astronomy Outreach Kosova”, program me më shumë se 200 pjesëmarrës që punon për të ngjallur interesim për astronominë mes fëmijëve në gjithë Kosovën. Duhet theksuar se shoqata gjithashtu ka dhuruar një shumë të konsiderueshme për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në Kosovë.

Vlen të cekët se kjo organizatë është programi më i lartë për shpërndarjen dhe popullarizimin e astronomisë në Kosovë.

Në vitin 2020 Pranvera filloi studimet në Shtetet e Bashkura të Amerikës, në Universitetin e Kalifornisë, në Santa Claus, studime Mastër, në Shkenca Planetare, për studimin e sistemit diellor dhe planetëve të tjerë.

Ajo është edhe një promovuese e shkëlqyer e Kosovës dhe po përfaqëson shqiptarët në mënyrën më të mirë me botën e saj të pasur në shumë konferenca shkencore, ndërkombëtare, duke përmendur Kosovën dhe duke siguruar donacione të shumta për astronomi.

Një asteroid merr emrin “Pranvera”

Një asteroid ose planet i vogël është emëruar me emrin e themelueses së “Astronomy Outreach of Kosovo”, Pranvera.

“Asteroidet janë një ndër trupat qiellorë që unë më së shumti merrem me ta dhe i fotografoj. Shpeshherë asteroidet emërohen sipas personave që i zbulojnë apo ata që japin një kontribut të caktuar në shkencë. Kjo ka qenë një nder jo vetëm për mua, por për gjithë Kosovën” sepse është votuar nga të gjithë astronomët”, shprehet ajo.

Në faqen e Unionit Ndërkombëtar të Astronautëve, Pranvera përshkruhet si një përfaqësuese entuziaste e Kosovës në Astronomi.

Përvoja në NASA

Pranvera, përveç tjerash, ka vizituar edhe Departamentin e shkencave në Cyrih të Zvicrës, madje pa nga afër shkëmbin hënor të sjellë nga NASA në Milano të Italisë, ku pati rastin të takojë dhe të bisedojë me shumë ekspertë të astronomisë, shkruan albinfo.ch.

Në atë kohë, me ftesë të Robert Rives, Pranvera Hyseni mbajti një fjalim para shumë astronautëve dhe shkencëtarëve të NASA-s në konventën shkencore Spacefest 2017 në Arizona.

Hyseni ka përfaqësuar Kosovën denjësisht në tubime dhe konferenca të shumta shkencore anembanë botës. Ajo ka vizituar qendrat e NASA-s, SpaceX dhe Northrop Grumman, qendra astronomike.

Për të ka qenë shumë interesante të shihet gjithë ajo teknologji amerikane në institutin NASA. Sipas saj, shteti amerikan e vlerëson shumë edukimin, jo vetëm të astronomisë, duke zotëruar të gjitha mundësitë, prandaj edhe ka filluar studimet pikërisht në këtë vend.

Fituese e çmimit “Michael D. Reynolds”

Në vitin pandemik, Pranvera nuk reshti së punuari. Për angazhimin e saj u nderua me çmimin “Michael D. Reynolds” nga Organizata Ndërkombëtare e Vëzhguesve Hënorë dhe Planetarë, shkruan tutje albinfo.ch.

Çmim ky, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë në popullarizimin e shkencës së Astronomisë.

Duhet theksuar se organizata në fjalë ka dhuruar një shumë të konsiderueshme financiare për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në shtetin e Kosovës.

“Qielli është limiti për Pranvera Hysenin”

/Albinfo.ch