Shkurt.ch

Qeveria vendos kundër kthimit të xhihadistëve “zviceranë”

Këshilli Federal kërkon që xhihadistët me pasaportë zvicerane të ndëshkohen për veprën e tyre. Sigurisht, ndjekja penale e tyre nuk do të bëhet në Zvicër por në Siri, duke përmbushur standardet ndërkombëtare

Këshilli Federal nuk do të angazhohet për kthimin në Zvicër të xhihadistëve, të cilët janë burgosur në Siri. Sa i përket kthimit të fëmijëve të tyre, një mundësi e kthimit do të jetë e mundur.

Aktualisht, kampet me të arrestuar janë nën mbikëqyrjen e kurdëve, të cilët po i trajtojnë mirë ata. Por, në momentin kur kurdët do t`i lënë të burgosurit në duar të sundimtarit të Sirisë, Bashar al-Assad, ata do të jenë në rrezik, shkruajnë mediet zvicerane.

Ky problem i ka shkaktuar kokëçarje prej disa muajsh Qeverisë Federale të Zvicrës: çfarë duhet bërë me zviceranët që i ishin bashkuar ISIS-it dhe pastaj ishin arrestuar nga kurdët? Sipas autoriteteve federale, aktualisht në zonën e luftës ndodhen rreth 20 xhihadistë me pasaportë zvicerane. Në mesin e të burgosurve ka edhe fëmijë.

Sot Këshilli Federal ka vendosur: Zvicra nuk do t`ua ndalojë xhihadistëve kthimin në Zvicër, por ajo po ashtu nuk do të angazhohet në mënyrë aktive për t`i kthyer ata, bën të ditur Ministria e Drejtësisë, transmeton albinfo.ch. Ndërsa një angazhim i tillë i autoriteteve të Zvicrës mund të shqyrtohet vetëm kur është fjala për kthimin e fëmijëve.

Si arsyetim për qëndrimin e përmendur, Qeveria Federale e Zvicrës përmend nevojën për mbrojtjen e popullatës. Dhe kjo mbrojtje ka përparësi në krahasim me interesat e individëve. Po merren të gjitha masat operative në dispozicion për të parandaluar një hyrje të pakontrolluar në Zvicër (të personave të kësaj kategorie), transmeton albinfo.ch. Në mesin e këtyre masave janë, për shembull, shpallja e emrave të tyre në sistemin informativ të Shengenit ose këmbimi i informatave me autoritetet e huaja. Kthimi i fëmijëve në Zvicër do të jetë i mundur vetëm në rast se prindërit që kanë të drejtë kujdestraie për ta dhe autoritetet japin pëlqimin.

Këshilli Federal, veç kësaj kërkon që xhihadistët me pasaportë zvicerane të ndëshkohen për veprën e tyre. Sigurisht, ndjekja penale e tyre nuk do të bëhet në Zvicër, por në Siri, duke përmbushur standardet ndërkombëtare. Autoritetet zvicerane mbështesin po ashtu edhe themelimin e një tribunali special për këtë kategori, transmeton albinfo.ch. Po nuk u bë e mundur kjo, procedura penale do të iniciohet kundër tyre në momentuin kur ata të kthehen sërish në Zvicër ose në ndonjë shtet me të cilin Zvicra ka bashkëpunim.