Maqedonia

Qeveria s’ka buxhet për shpronësimet në Hade

Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se po shkelen të drejtat e banorëve, prandaj ka kërkuar zgjidhje të shpejtë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik , Valdrin Lluka, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriun  ka thënë se ekzekutivi nuk ka buxhet për shpronësimin në fshatin Hade të Obiliqit. Sipas tij, rasti i Shipitullës ishte më ndryshe, pasi pati një intervenim urgjent, për shkak të krizës energjetike.

“Në  vitin e kaluar kemi qenë para një kolapsi energjetik, ndërsa, projekti i ri për ‘Kosovën e Re’ parasheh që të kemi një minierë të re të thëngjillit për të siguruar thëngjill për 40 vjetët e ardhshëm. KEK-u ka angazhuar një kompani konsulente gjermane, ku do të vlerësojë kahun e hapjes veri – jug të minierës së re dhe tregon anët negative dhe pozitive”, ka thënë Lluka, duke shtuar se çfarë do opsioni që merret, shikohet impakti social dhe i mjedisit.

Ministri Lluka ka thënë se shpronësimi në Shipitullë parashihet  të kushtojë rreth 27 milionë euro, ndërsa për shpronësimin në Hade, ai nuk pret të ndodhë e njëjta gjë dhe nuk duhet vepruar me atë praktikë. Mustafë Grainca, zëvendës -ministër i Financave, ka thënë se ata janë në pritje të zgjidhjes së këtij problemi, konform zgjidhjes do të veprohet.

Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se po shkelen të drejtat e banorëve, prandaj ka kërkuar zgjidhje të shpejtë. kurse, përfaqësuesi i fshatit Hade, Ragip Grajçevci, tha se banorët e këtij fshati ndihen të diskriminuar, për shkak se po vlerësojnë se institucionet po bëjnë shkelje të të drejtave të njeriut.