Lajme

Qeveria shkurton karantinën dhe vendos të paguajë edhe testimet pa simptoma

Këshilli Federal miratoi të mërkurën strategjinë e re të testimeve. Kështu, ai do të mbulojë edhe testet për njerëzit pa simptoma. Po ashtu shkeljet do të ndëshkohen me gjobë

Këshilli Federal ka miratuar të mërkurën një sërë vendimesh lidhur me trajtimin e epidemisë së koronës. Qeveria federale tani do të marrë përsipër shpenzimet e testeve edhe për ata që nuk tregojnë ndonjë simptomë – në rastet kur këto kryhen si pjesë e testeve masive, raporton sda.ch.

Kjo ka për qëllim të sigurojë mbrojtje më të mirë për njerëzit në rrezik të veçantë, si ata në shtëpitë e të moshuarve.

Përveç kësaj, duke përdorur teste masive mund të luftohen në një fazë më të hershme shpërthimet lokale të infeksionit, si në shkolla etj., ka njoftuar Këshilli Federal, trasnmeton albinfo.ch.

Më shumë se gjysma e të gjithë të sëmurëve me Covid-19 nuk kanë simptoma. Prandaj ka kuptim përshtatja e strategjisë së testimit.

Strategjia e re është mirëprit nga kantonet gjatë konsultimit. Kantone të veçanta kanë kryer teste masive me shpenzimet e tyre që nga mesi i dhjetorit.

Gjobat administrative, nga 50 deri në 200 franga

Këshilli Federal ka bërë edhe një ndryshim të gjobave pasi që deri më tani, ato nuk ishin renditur në mënyrë të qartë. Kështu, nga 1 dhkurti e tutje, kushdo që shkel masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit mund të dënohet me gjobë nga 50 deri në 200 franga.

Për shembull, personat që nuk mbajnë maskë në një stacion autobusi, në transportin publik ose në stacionet e trenit mund të gjobiten. Por po ashtu edhe për pjesëmarrje në ngjarje private të ndaluara mund të gjobiteni, përcjell albinfo.ch. Këshilli Federal ka arsyetuar vendimin e tij me qëllimin e promovimit të respektimit të masave dhe lehtësimin e autoriteteve të zbatimit të ligjit me gjobat.

Shkurtohet kohëzgjatja e karantinës 

Këshilli Federal gjithashtu u është përgjigjur kritikave për karantinën dhjetë-ditore. Sipas rregullit të mëparshëm, një person duhet të merrej në karantinë për dhjetë ditë nga kontakti i fundit me një person të infektuar.

Ndërsa tani kjo mund të përfundojë me një rezultat negativ të testit, nga dita e shtatë. Kostoja e testit duhet të përballohet nga vetë personi. Po kështu, autoritetet kantonale janë përgjegjëse për heqjen e karantinës.

Përveeç që karantina e kontaktit mund të shkurtohet me një test negativ në ditën e 7-të, e njëjta gjë vlen edhe për karantinën e udhëtarëve nga vendet me rrezik të rritur të infeksionit, përcjell albinfo.ch. Kështu, në të ardhmen, kur të mbërrini në Zvicër do të ju nevojitet një test negativ PCR që nuk është më i vjetër se 72 orë. Pas kësaj shkohet në karantinë.

Njerëzit që mbërrijnë me aeroplan nga vendet që nuk janë në zona të rrezikut duhet të tregojnë testin negativ gjatë hyrjes. Kontrolli zhvillohet kur hipni në avion.

Detajet e kontaktit për të gjithë të ardhurit

Deri më tani, janë regjistruar sistematikisht vetëm detajet e kontaktit të njerëzve nga vendet me rrezik për ata që hyjnë në vend. Këshilli Federal tani ka zgjeruar mbledhjen e të dhënave për të përfshirë aty të gjithë personat që hyjnë në Zvicër.

Të dhënat tani regjistrohen duke përdorur një formular elektronik të hyrjes. Qëllimi i kësaj mase është të gjurmojë infeksionet më lehtë dhe shpejt.