Lajme

Qeveria miraton platformën e zhvillimit ekonomik

Qeveria e Kosovës ka miratuar Platformën e Zhvillimit Ekonomik 2011-2014.

Në bazë të kësaj platforme, e cila ka kaluar pa asnjë votë kundër, rritja ekonomike për vitin e ardhshëm do të jetë 7 deri në 8 për qind. Për më tepër, ulja e papunësisë është zotuar të jetë 8 deri në 10 për qind, më e lartë se vetë rritja ekonomike që synohet nga kjo strategji për zhvillim ekonomik.

“Kjo platformë përmban shifra, fakte dhe afate kohore“ – ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, megjithëse nuk është prezantuar edhe diçka shumë konkrete nga ky plan. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pas mbledhjes së qeverisë ka thënë se deri më 15 maj para kabinetit qeveritar do të paraqitet edhe plani i veprimit për këtë platformë.

Kjo platformë, sipas kryeministrit ka për qëllim kryesor të bëjë fuqizimin e sektorit privat dhe vazhdimin e procesit të privatizimit. Platforma është hartuar javën e kaluar nga një pjesë e kabinetit qeveritar dhe Ambasada amerikane në Bullgari.

Në mbledhjen e qeverisë nuk ka qenë i pranishëm zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli. Mungesa është arsyetuar nga kolegu i tij, Hajredin Kuçi, i cili ka thënë se Pacolli nuk gjendet në Kosovë.–