Kosova

Qeveria ia jep Policisë pronat e sekuestruara të Radoiçiqit

Sot Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndryshim të një Udhëzimi administrativ, i cili mundëson që pronat e sekuestruara nga përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Milan Radoiçiq, t’i kalojnë Policisë së Kosovë pa procedura të tejzgjatura. Sipas Qeverisë, kjo po bëhet për ta ngritur “sigurinë shtetërore”, pasi konsiderohen se pronat e sekuestruara gjenden në “disa pika strategjike të territorit të Kosovës”, përcjell albinfo.ch.

Radoiçiqit mori përgjegjësinë për sulmin e Banjskës, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ai është në kërkim nga INTERPOL-i, por nuk arrestohet nga autoritetet serbe.

Gjatë një aksioni në prill, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës sekuestroi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut, një restorant dhe një banesë, si dhe një vilë në komunën e Zubin Potokut – që të gjitha në pronësi të Radoiçiqit, shkruan koha.

Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë ka thënë se këto prona mund të jepen me qira vetëm për institucionet publike apo organet shtetërore.

“Ky projektudhëzim rregullon të drejtën e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të Kosovës që të japë me qira në fazën e sekuestrimit pasuritë e paluajtshme pa ankand publik, nëse ato kërkohen nga institucionet publike apo organet shtetërore. Kjo po bëhet me qëllim të përshpejtimit të procedurave… Pronat e sekuestruara gjenden në disa pika strategjike të territorit tonë, konkretisht në veri. Shfrytëzimi dhe menaxhimi i tyre nga institucionet e sigurisë është i rëndësisë nacionale, i kontribuon rritjes së sigurisë territoriale në përgjithësi, e posaçërisht për qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se disa prona në veri “do të kalojnë në shërbim të institucioneve e sigurisë, për ngritjen e sigurisë shtetërore”.

“Pronat e ish-kryeterroristit Milan Radoiçiq do të kalojnë në shërbim të institucioneve të sigurisë. Ato që kanë qenë prona të tij, tani janë pronë e Ministrisë së Drejtësisë. Për këtë arsye, do t’i japim pronat për Ministrinë e Brendshme, gjegjësisht Policinë e Kosovës”, ka thënë ajo.