Lajme

Qeveria e Zvicrës nuk do të shtrëngojë masat

Ministri Alain Berset është duke mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ku po bën sqarimin e qëndrimit aktual të Qeverisë Federale.

Këshilli Federal e vlerëson situatën epidemike si kritike. Megjithatë, ai aktualisht nuk dëshiron të shtrëngojë masat e koronë, transmeton albinfo.ch.

“Nisur nga niveli aktualisht relativisht i ulët i ngarkesës në njësitë e kujdesit intensiv me pacientët Covid 19 dhe nga dallimet e mëdha rajonale”, një shtrëngim në të gjithë Zvicrën nuk është në përputhje me situatën, shkruan Këshilli Federal në një deklaratë, të publikuar pak minuta më parë.

Ndërkohë, ministri Alain Berset është duke mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ku po bën sqarimin e qëndrimit aktual të Qeverisë Federale.

Berset: “Nuk ka ardhur ende koha për të ashpërsuar masat”

Mundësia e vaksinimit mbetet e hapur për të gjithë. Mast si mbajtja e distancës dhe higjiena tani janë gjithashtu gjithnjë e më të rëndësishme, sipas  ministrit Berset. Këshilli Federal është informuar në detaje lidhur me situatën aktuale, transmeton albinfo.ch.

“Nuk ka ardhur ende koha për të ndryshuar masat”. Masat duhet të vinë në kohën e duhur, ka shtuar ai.

“Ne të gjithë kemi bërë shumë për të mbajtur një nivel të caktuar qetësie. Meqenëse njerëzit u janë përmbajtur masave, Zvicra kishte mundësinë për të qëndruar në kursin liberal, tha Berset.

“Në ndryshim nga fazat e mëparshme të pandemisë, numri i rasteve rritet me ritme të ndryshme në varësi të rajonit. Numri i infeksioneve çdo dy javë për 100,000 banorë është rreth gjashtë herë më i lartë në disa kantone sesa në të tjerat”, thuhet më tutje në deklaratë.

Qeveria Federale dëshiron të ruajë bashkëpunimin e saj me kantonet, ashtu që kantonet të  marrin masat e nevojshme nëse pandemia zhvillohet ndryshe nga rajoni në rajon.

Me masat kantonale dhe me marrjen e masave të mbrojtjes së popullatës si mbajtja e distancës, vendosja e maskës, ventilimi dhe testimi, Këshilli Federal dëshiron të parandalojë mbingarkimin e spitaleve.

Berset: “Jemi të vetëdijshëm se strategjia jonë përmban edhe rreziqe”

Ministri i Shëndetësisë më tutje thotë: “Kantonet tani duhet të ofrojnë vaksinime përforcuese sa më shpejt të jetë e mundur. “Ne jemi të vetëdijshëm se strategjia përmban edhe rreziqe.”

“Vaksinimi ende funksionon mirë kundër rrjedhës së rëndë të sëmundjes”

Nuk duhet të befasohemi që numri i rasteve do të rritet në dimër.

“Vaksinimi ende funksionon mirë kundër rrjedhës së rëndë të sëmundjes, në të gjitha kategoritë. Pas një vaksinimi përforcues, mbrojtja kundër infeksionit te njerëzit e cenueshëm mbetet në 90 për qind.”, ka thënë Berset veç tjerash.