Lajme

Qeveria e Zvicrës mbështet drejtësinë kosovare

Ambasada e Zvicrës mbetet e përkushtuar që të mbështesë edhe më tutje Ministrinë e Drejtësisë, me theks tё veçantë në fushën e noterisë, tha ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang

Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang i ka dhënë mbështetje të fuqishme ministres së re të Drejtësisë në Kosovës, Dhurata Hoxha në sistemin e drejtësisë. Ajo tha se Ambasada e Zvicrës mbetet e përkushtuar që të mbështesë edhe më tutje Ministrinë e Drejtësisë, me theks tё veçantë në fushën e noterisë.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka pritur sot në takim ambasadoren Lang dhe zëvendësambasadoren Anita Schlüchter Roth.

Gjatё kёtij takimi ambasadorja Lang uroj ministren Hoxha për emërimin e saj në krye të Ministrisë së Drejtësisë, duke e cilësuar këtë të fundit si një ndër sektorët më të rëndësishëm.

Ambasadorja helvetike shprehu gatishmërinë e misionit që ajo drejton për të mbështetur Ministrinë e Drejtësisë në fushën e sundimit të ligjit.

“Ambasada e Zvicrës mbetet e përkushtuar që të mbështesë edhe më tutje Ministrinë e Drejtësisë, me theks tё veçantë në fushën e noterisë, çështjen e personave të zhdukur, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar”, tha ambasadorja Lang e cila u fokusua në rëndësinë e bashkëpunimit me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Ministrja Hoxha, ndërkaq e falënderoi ambasadoren pёr bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar bashkëpunimin që institucionet e Kosovës kanë dhe vazhdojnë tё kenë me Ambasadën e Zvicrës, sidomos në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit. Ajo e informoi diplomate helvetike se lufta kundër korrupsionit, pavarësia e gjyqësorit dhe zvogëlimi i numrit të lëndëve në Gjykata janë disa elementet kyçe në të cilat do të fokusohet puna e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministrja Hoxha po ashtu informoi ambasadoren Lang se gjatë drejtimit të Ministrisë së Drejtësisë, puna e saj do të udhëhiqet nga tre parime kryesore që janë: transparenca, përgjegjësia dhe llogaridhënia.