Kosova

Qeveria e Kosovës shpall 11 korrikun ditë Përkujtimi për Gjenocidin në Srebrenicë

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar këtë veprim si fisnik dhe të duhur për të siguruar që gjenocidi të mos harrohet dhe të mos përsëritet

11 korriku është shpallur Ditë Përkujtimore për Gjenocidin në Srebrenicë nga Qeveria e Kosovës. Në nderim të viktimave të kësaj ngjarjeje, anëtarët e kabinetit qeveritar mbajtën një minutë heshtje, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e këtij veprimi, duke e quajtur atë një akt fisnik dhe të duhur për të siguruar që gjenocidi të mos harrohet dhe të mos përsëritet askund në botë.

“Po i bashkohemi memoralizimit bazuar në rezolutën që kemi miratuar në Kuvend që dënon gjenocidin në Srebrenicë, në vijim të rezolutës në Parlamentin Evropian dhe rezolutës së miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së gjatë majit të këtij viti. Është veprim fisnik e i duhur në emër të Kosovës e të dëshirës sonë për drejtësi e paqe. Që të mos harrohet e të mos përsëritet gjenocidi as në Srebrenicë, as në Kosovë, as në rajonin tonë e askund në botë”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se më 23 maj të këtij viit Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.