Kosova

Qeveria e Kosovës ndryshon masën e sigurisë ndaj produkteve serbe

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare në Merdar.

Kosova pati ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë vitin e kaluar.

Më pas, masa e sigurisë u ndryshua, duke u lejuar importimi i lëndës së parë dhe gjysmë produkteve të nevojshme për prodhim final, transmeton albinfo.ch.

Mediat në Kosovë, duke iu referuar burimeve të tyre kanë raportuar se me vendimin e ri, i cili u është përcjellë të hënën institucioneve përkatëse nga ministri i Punëve të Bredshme, Xhelal Sveçla, ndalimi i importimit të këtyre produkteve do të zëvendësohet me “kontroll të detajuar” për maunet që hyjnë nga Serbia.

Tutje, u raportua se ndryshimi i masës së sigurisë vlen vetëm për pikën kufitare në Merdar.