Lajme

Qeveria austriake me udhëzime në gjuhën shqipe: Rruga jonë drejt rikthimit

Gjatë tërë kohës së pandemisë shteti austriak ka informuar në mënyra të ndryshme komunitetin shqiptar edhe në gjuhën shqipe në lidhje me koronavirusin dhe mbrojtjen nga kjo pandemi

Qeveria austriake ka nisur një fushatë për të sensibilizuar qytetarët se si të mbrohen nga koronavirusi dhe të vazhdojnë aplikimin e rekomandimeve drejt rikthimit të plotë të normalitetit të jetës në Austri.

Në kuadër të fushatës „Unser Weg zurück“ në faqen e Facebookut „Bundeskanzleramt Österreich“ është shpërndarë teksti i njëjtë edhe në gjuhën shqipe „Rruga jonë drejt rikthimit“. Në këtë fushatë ashtu si në gjuhën gjermane dhe në gjuhën shqipe kërkohet që mbrojtja më e mirë nga Covid-19 mbetet përgjegjshmëria e secilit prej jush, raporton Albinfo Austria.

„Mbrojtja më e mirë është dhe mbetet përgjegjshmëria e secilit prej jush. Kjo do të thotë të vazhdoni: të mbani distancë, të lani duart dhe të mbani maskë mbrojtëse për gojën dhe hundën“, shkruhet kështu edhe në gjuhën shqipe.

Në fakt, gjatë tërë kohës së pandemisë, shteti austriak ka informuar në mënyra të ndryshme komunitetin shqiptar edhe në gjuhën shqipe në lidhje me koronavirusin dhe mbrojtjen nga kjo pandemi.