Shkurt.ch

Qershori solli më pak azilkërkues

Gjatë qershorit, në Zvicër janë bërë 1675 kërkesa për azil, që është për një të katërtën më pak se në muajin paraprak

Gjatë muajit qershor të këtij viti, në Zvicër është shënuar një rënie e madhe e numrit të azilkërkuesve. Janë shtruar gjithsej 1675 kërkesa për azil, numër ky që është për një të katërtën më i vogël se në muajin paraprak.

Këto të dhëna i ka publikuar sot Zyra Federale për Migracion në një paraqitje për medie, në Bernë. 

Numri i azilkërkuesve i shënuar në qershor është i një niveli të përafërt me atë të muajit nëntor të vitit 2010, kohë kjo shumë para fillimit të trazirave në Afrikën veriore.

Megjithatë, sipas zyrës në fjalë, trendi i lëvizjes së refugjatëve nga vendet e kapluara nga kriza  po vazhdon. Ai po shkon drejt veriut dhe me këtë, as Zvicra nuk do të jetë e kursyer nga kjo lëvizje.