Shqipëria

Qershor 2024: Rritje e numrit të turistëve në Shqipëri

Krahasuar me qershorin e 2023-shit, numri i vizitorëve jorezidentë nga Kosova shënoi rritje me 11,9 %, atyre nga Italia shënoi rritje me 8,7 %, nga Polonia me 7,6 %, ndërsa nga Gjermania rrija ishte rritje me 5,9 %

Shqipëria turistike po vazhdon të rritet me shpejtësi. Në muajin qershor, numri i vizitorëve jorezidentë shënoi rritje me 49,9%, në krahasim me qershorin 2023.

Instituti i Statistikave publikoi sot raportin për strukturat akomoduese, sipas të cilit, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 40%.

Të dhënat tregojnë se numri i netqëndrimeve gjithsej është rritur me 27,1 %, ku rritjen më të madhe e patën vizitorët jorezidentë me 35,5%.

Në zonat bregdetare treguesi i numrit të vizitorëve jorezidentë është rritur me 51,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Numri i vizitorëve jorezidentë në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 53,1 %.

Krahasuar me qershorin e 2023-shit, numri i vizitorëve jorezidentë nga Kosova shënoi rritje me 11,9 %, atyre nga Italia shënoi rritje me 8,7 %, nga Polonia me 7,6 %, ndërsa nga Gjermania rrija ishte rritje me 5,9 %. Rritje me 3,8 % shënoi edhe numri i vizitorëve britanik.

Raporti i INSTAT jep detaje edhe rreth normave neto të shfrytëzimit të dhomave dhe të shtretërve, dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.

Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 35,9 %, kundrejt 28,5 % që ishte në muajin qershor 2023.

Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 38,6 %, kundrejt 30,5 % që ishte në muajin qershor 2023.

Të dhënat e publikuara nga autoritetet treguan se gjatë periudhës janar-korrik vendi u vizitua nga 6,3 milionë vizitorë të huaj nga 5,1 milionë që e vizituan në 7-mujorin e 2023-shit.