Lajme

Qëndresa Gashi-Koxha emërohet drejtoreshë e Sigurisë Kibernetike për Kantonin e Bernës

"Jam e lumtur të ndaj me ju, avancimin tim profesional në pozitën e Drejtoreshës së Sigurisë Kibernetike (Head of Cyber Security Delivery) në korporatën energjetike të Kantonit të Bernës BKW"

Qëndresa Gashi-Koxha është zgjedhur në një post me një përgjegjësi të lartë në Kantonin e Bernës. Këtë e ka bërë të ditur ajo sot, në një postim në mediat sociale.

“Jam e lumtur të ndaj me ju, avancimin tim profesional në pozitën e Drejtoreshës së Sigurisë Kibernetike (Head of Cyber Security Delivery) në korporatën energjetike të Kantonit të Bernës BKW”. Ky është njoftimi që Qëndresa Gashi-Koxha ka bërë sot në rrjetet sociale, si në fb, linkedin etj., shkruan albinfo.ch

“Rrugëtimi im i deritashëm profesional në BKW ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, e mbushur me mundësi avancimi profesional dhe personal dhe shpresoj të vazhdoj njësoj edhe në të ardhmen.

Falënderoj familjen dhe veçanërisht bashkëshortin tim për mbështetjen dhe gëzohem që kam mundësinë të kombinoj karrierën dhe familjen me sukses”, përfundon ajo postimin në fjalë.

Por ajo që i ka paraprirë kësaj ngritjeje në pozitë, të Qëndresës, është një biografi impozante, e përmbushur me suksese e arritje profesionale. Pas mbarimit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Zvicrës Veriperëndimore (FHNW), ajo ka bërë edhe titullin e masterit në këtë universitet. Kjo diplomë dhe shumë rikualifikime e specializime të tjera i kanë hapur rrugën për të punuar si ligjëruese në universitetin e përmendur dhe në katedra të tjera, si specialiste e sigurisë kibernetike.

Dy vitet e fundit ajo ka punuar në Korporatën energjetike të Kantonit të Bernës BKW, kompani kjo që së fundi i ka besuar postin e drejtoreshës.

Përveç për arritjet e saj profesionale, Qëndresa Gashi Koxha njihet edhe si pjesëmarrëse dhe udhëheqëse e aktiviteteve të ndryshme shoqërore në komunitetin shqiptar të Zvicrës, shkruan albinfo.ch.