Integrimi

Qendrat fetare në Çikago, vatra të kulturës shqiptare

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ka takuar në Çikago komunitetin shqiptar atje në Kishën Ortodokse Shqiptare “Shën Nikolla” dhe Qendrën Islamike Shqiptaro-Amerikane

Një seksion kushtuar diasporës është parashikuar të hapet në ambientet e Muzeut Historik Shqiptar. Në të do të mund të ekspozohen materialet e mbledhura nga komuniteti ortodoks, në Çikago, si dhe foto të pashfaqura të Faik Konicës.

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ka takuar në Çikago komunitetin shqiptar atje në Kishën Ortodokse Shqiptare “Shën Nikolla” dhe Qendrën Islamike Shqiptaro-Amerikane. Majko theksoi se po përpiqet të nxiste rivendosjen e marrëdhënieve të ngushta që ka pasur komuniteti shqiptar me Kongresin dhe Senatin para luftës.

Gjatë bashkëbisedimit u fol dhe për ligjin e sapodekretuar për Diasporën, duke u ndalur veçanërisht te mënyra e funksionimit të Këshillit Koordinues. “Këshilli është një organizëm shumë i rëndësishëm, pasi në të njëjtën tryezë do të ulen 15 anëtarë të diasporës. Krah tyre do të jenë Kryeministri, Presidenti dhe ministrat më të rëndësishëm.

Këshilli Koordinativ do të bëhet pika e komunikimit mes institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të diasporës”, ka thënë Majko, i cili shtoi se përfaqësuesit e diasporës do t’i paraqesin problemet kryesore. 

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për shqetësime të tjera të komunitetit, si çështja e regjistrimit të shtetasve jashtë vendit, hapja e qendrave kulturore, votimi, etj.