Tematike

Qendra testuese e azilit në Cyrih, kryesisht e suksesshme

Por, sipas evaluacionit të bërë del se ka ende nevojë për optimimim në fusha të caktuara

Në Cyrih, nga fillimi i vitit 2014 është hapur qendra testuese e azilit në nivel federal. Evaluimi i bërë për dhjetë muajt e parë të punës së kësaj qendre ka treguar rezultate kryesisht të kënaqshme. Procedurat e praktikuara këtu, ashtu siç kanë qenë edhe pritjet, janë dëshmuar si më të shkurtra se gjetiu. Dhe, shkurtimi i procedurave nuk ka ndikuar negativisht në cilësinë e vendimeve të marra. Përmirësimi i mbrojtjes juridike kontribuon në realizimin e procedurave më korrekte dhe ndikon që azilkërkuesit të pranojnë më lehtë vendimet e marra për rastet e tyre.

Për këtë dëshmon e dhëna se shkalla e ankesave ka rënë për 15 për qind. Por, sipas evaluacionit të bërë del se ka ende nevojë për optimimim në fusha të caktuara, thuhet në një komunikatë të publikuar nga Sekretariati Federal për Migracion (SEM).

SEM ka ngarkuar katër organizata të jashtme për të bërë vlerësimin e punës së qendrës testuese të azilit në Cyrih. Rezultatet përfshijnë periudhën 1 janar deri 31 tetor 2014 dhe në vija të trasha dëshmojnë se qendra testuese marrë në përgjithësi po tregohet funksionale.

Shpejtimi ose shkurtimi i procedurës së azilit në këtë qendër federale është arritur për shkakun se aty zhvillohen procedurat e azilit ku janë të përfshirë të gjithë aktorët relevantë nën një kulm. Ndërsa në rastet kur azilkërkuesit shpërndahen në kantone dhe qendra të ndryshme vetvetiu zgjatet procedura.

Qendra testuese gjatë periudhës së vlerësuar ka marrë përsipër 1256 procedura, nga të cilat deri në fund të tetorit 2014 janë përfunduar 829 ose 66 për qind. Mesatarisht një procedurë në këtë qendër ka zgjatur 51 ditë deri sa është marrë edhe vendimi i plotfuqishëm. Ndërsa procedurat e ashtuquajtura “të Dublinit” kanë marrë mesatarisht nga 58 ditë. Të dy këto lloje të procedurave janë shkurtuar në një shkallë prej 30 për qind në krahasim me procedurat “e rregullta”.

Potencial përmirësimi, sipas ekipeve vlerësuese ka në përkujdesjen mjekësore dhe në organizimin e termineve të marrjes në pyetje të azilkërkuesve.

Është konstatuar po ashtu një funksionim i mirë i bashkëpunimit në mes të federatës dhe kantoneve. Sa i përket dëbimit të azilkërkuesve ka rënë në sy se ka më shumë të tillë që ikin në mënyrë të pakontrolluar nga kjo qendër se sa nga qendrat e rregullta.

Faza testuese vazhdon së paku deri më 28 shtator 2015. Vlerësimi përfundimtar mbi këtë fazë mund të bëhet nga fillimi i vitit 2016, thuhet në komunikatën e SEM.