Gjuha
Qëllimi i misioneve katolike shqiptare në Zvicër, ruajtja e identitetit kombëtar
Rreth jetës fetare të shqiptarëve në Zvicër, albinfo.ch ka intervistuar meshtarin e Misionit Katolik në Zvicër, qendra në Sirnach, don Albert Demaj
Shqiptarët e besimit katolik kanë në Zvicër tri qendra fetare dhe rreth 23 mijë besimtarë ndërkohë që ata të besimit myslimanë shërbimet fetare i kryejnë në mbi 70 xhami në këtë vend. Ndryshe, identiteti fetar i pjesës tjetër të mbi 250 mijë shqiptarëve të Zvicrës, që nuk figurojnë në listat anëtarësisë së institucioneve fetare, gjallërohet kryesisht në raste festash fetare si për Bajram, Pashkë e Kërshëndella.
Rreth jetës fetare të shqiptarëve në Zvicër, albinfo.ch ka intervistuar meshtarin e Misionit Katolik në Zvicër, qendra në Sirnach, don Albert Demaj dhe imamin Nehat Ismaili, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës (UISHZ).
Albinfo.ch: Si është i organizuar Misioni Katolik Shqiptar në Zvicër?
Don Albert Demaj: Misioni Katolik Shqiptar në Zvicër si Institucion ekziston që nga viti 1992 me seli në Luzern. Meshtari i parë ishte don Aleksandër Kola. Pastaj në vitin 1999 vjen don Marjan Marku dhe pak më vonë don Marjan Demaj, që do të themelojnë në vitin 2003 Misionin tonë në Sirnach TG dhe në vitin 2005 don Mikel Sopi që themelon Misionin në Aargau. Pra, në Zvicër kemi tre misione që përfshijnë tërë territorin e Zvicrës. Ndërsa sot Misionin në Luzern, përgjegjës për Zvicrën Qendrore, e udhëheq don Agim Qerkini, atë të Aargaut, përgjegjës për Zvicrën Perëndimore, don Pren Kola, dhe unë don Albert Demaj, Misionin në Sirnach përgjegjës për Zvicrën Lindore. Bashkë me ne, në Misionet tona, janë edhe motrat e nderit, që na ndihmojnë shumë në punën pastorale.
Si organizohet jeta fetare e shqiptarëve në Zvicër?
Jeta fetare e shqiptarëve katolikë në Zvicër është shumë mirë e organizuar. Çdo të diele dhe çdo festë kemi meshët nëpër Qendrat tona në gjuhën tonë të bukur, dhe pjesëmarrja e popullit, siç keni pasur rastin të shihni edhe vet është shumë e madhe. Po ashtu edhe për sakramentet tjera, siç i quajmë ne, që kërkojnë besimtaret tanë, ne jemi në çdo kohë në dispozicion të ju dalim në ndihmë.
A kanë shqiptarët e besimit katolik një kishë shqiptare në Zvicër apo si funksionon organizimi meshave për besimtarët shqiptarë?
Jo, ne nuk kemi kishë tonën në Zvicër. Te gjitha meshët dhe aktivitet tjera fetare i zhvillojmë në kishat, le të themi zvicerane, por ne nuk kemi probleme aspak në këtë drejtim. Por mendoj që në një të ardhme të afërt do të fillojmë të kemi edhe kishat tona, në kuptimin të marrim ndonjë kishë në shfrytëzim, e jo të ndërtojmë kishë të re. Te tre Misionet e përpilojmë kalendarin e përbashkët, e bëjmë rezervimin e kishave për tërë vitin dhe pastaj besimtaret e dinë saktë se ku ka meshë shqip atë të diele në Zvicër, dhe e kanë më lehtë pjesëmarrjen në meshë.
Sigurisht keni shënime mbi numrin e besimtarëve në Zvicër? Çfarë duhet të bëjë një besimtar për të qenë pjesëtar i një Misioni katolik?
Kisha Katolike ka një traditë të bukur shekullore, që në fillim të vitit, në janar, të vizitojmë familjet dhe t`i bekojmë. Pra, edhe ne në Zvicër, në janar, dalim dhe bekojmë të gjitha familjet tona, duke lutur Zotin që familjet tona të kenë një vit të mbarë e të suksesshëm. Dhe me këtë rast ne, kohë pas kohe, bëjmë edhe regjistrimin e besimtarëve, me shumë të dhëna: Prej nga vijnë nga Kosova, çka punojnë, çka studiojnë e kështu me radhë. Sipas të dhënave tona, në Zvicër jetojnë rreth 23 mijë shqiptarë katolikë. Me krenari mund të them se besimtarët tanë, por edhe shqiptarët në përgjithësi, në Zvicër po integrohen gjithnjë e më mirë.
Për t`u bërë dikush anëtar i misioneve tona, duhet të jetë i pagëzuar dhe të tregoëj interesimin për të qenë pjesë e misioneve tona.
Cili është roli i një prifti në edukimin e një besimtari shqiptar, çfarë bënë ai, çfarë tema ligjëroni për të qenë i devotshëm, të zëmë jo vetëm ndaj fesë?
Qëllimi i ardhjes sonë në Zvicër, apo i themelimit të misioneve ka qenë dhe është ruajtja e identitetit kombëtar. Pra, ne duam që të lusim Zotin në gjuhën tonë të bukur shqipe edhe këtu ne Zvicër. Dhe në këtë drejtim e organizojmë punën dhe jetën tonë në mision. Sa i përket ligjërimit apo predikimit siç themi ne, ta zëmë, në meshën e falënderimit për shenjtërimin e Nënës Terezë në Frauenfeld, ndër të tjera besimtarëve, sidomos të rinjve ju kam thënë: Nëna Terezë është shembulli më i mirë se si duhet të ruajmë identitetin tonë kombëtar dhe fetar. Ajo në Oslo kur mori çmimin Nobel për paqe, para tërë atyre njerëzve, nuk hezitoi të thotë: `Me gjak jam shqiptare dhe jam murgeshë katolike!` Prandaj, edhe ju të rinj e të reja, sidomos kur jeni të suksesshëm e të mirë, mos t`ju vijë turp të thoni: Jam shqiptar dhe katolik si Nënë Tereza.
Në predikimet tona, mundohemi gjithmonë të nxisim njerëzit të jenë të mirë e të dashur, paqësorë e tolerantë, të ruajnë familjen e vlerat tona fetare dhe kombëtare. Me një mënyrë i thërrasim të punojnë palodhshëm për progres ekonomik, duke mos e harruar as atë shpirtëror, si dhe të punojnë për atdheun tokësor, duke mos e harruar as atë qiellor.
Në Misionin tonë, përveç Motrave të nderit kemi edhe grupe të tjera të caktuara për bashkëpunim dhe mbarëvajtje të punëve: Kështu ne kemi Këshillin Pastoral me të cilin organizojmë aktivitete të ndryshme si ligjërata, seminare etj. Ne organizojmë shëtitje (shtegtime) të ndryshme nëpër Zvicër dhe Evropë bile edhe në Izrael, Indi (ishte vitin e kaluar don Pren Kola) etj. turnire të ndryshme sportive, promovime të librave, ndeshje futbolli me projektor, ligjërata edukative për të rinj, tani shpesh edhe në gjuhën gjermane, mbrëmje familjare me muzikë e ushqimet tona tradicionale. Në kuadër të Misionit tonë është Kori i fëmijëve dhe i të rriturve që këndojnë në meshë, ministrat që shërbejnë në meshë, grupi madh i lexuesve që lexojnë në meshë. Kemi grupin e grave të quajtur “Nëna shqiptare – gjurmëve të Nënë Terezës”, që organizon aktivitete të ndryshme me nënat dhe gratë e Misionit tonë. Kemi edhe Ansamblin “Arbëresha” të fëmijëve dhe të rriturve, që organizojnë koncerte të ndryshme, duke marrë pjesë në manifestime të ndryshme këtu në Zvicër.
Si funksionon financimi i organizimit të jetës fetare katolike, meshave në gjuhën shqipe? Merrni mbështetje nga shteti zviceran?
Ne jemi meshtarë nga Kosova, dhe këtu na ka dërguar ipeshkvi ynë. Edhe besimtarët tanë janë nga Kosova, janë pak ata nga Shqipëria apo vendet tjera shqipfolëse. Besimtarët tanë këtu ia paguajnë tatimin si katolikë shtetit zviceran, siç bëjnë edhe të gjithë katolikët e tjerë. Ne si meshtarë këtu punojmë me ligjet e Kishës në Zvicër dhe jemi të barabartë me priftërinjtë zviceranë. Ne të gjithë jemi të punësuar në kishën zvicerane, dhe financimi ynë shkon nëpërmjet saj. P.sh. ne kemi një qendër të madhe: Dy zyra të punës, një kishë apo kapelë të vogël dhe një sallë të madhe, që e shfrytëzojmë për aktivitete të ndryshme, dhe këto për ne i paguan kisha zvicerane (Landes Kirche).
Në këtë pikë, cili është bashkëpunim me strukturat e shtetit zviceran, qofshin ato fetare, kulturore, të shkollës apo organet kompetente për organizimin e jetës fetare?
Bashkëpunimi ynë me zviceranët është shumë i mirë. Ne shpesh organizojmë meshë të përbashkëta, jo vetëm me zviceranë por edhe me popujt tjerë që jetojnë në Zvicër, dhe pas meshës shpalosim kulturën tonë me vallëzime e ushqimet tona tradicionale. Tani me kënaqësi mund të them që kisha e Wili-t SG, na ka lejuar të ndërtojmë shtatoren e Nënës Terezë, të cilën shpresojmë ta inaugurojmë me një festë të madhe fetare dhe kombëtare, vitin tjetër.
Cilat janë kontaktet me përfaqësitë diplomatike të Kosovës e të Shqipërisë në Zvicër, në çfarë niveli është bashkëpunimi apo kontakti me ambasadat?
Me thënë të drejtën jo edhe aq sa ndoshta ishte kanë dashur të jetë. Ne, si mision duhet të kemi më shumë përkrahje dhe mbështetje nga ambasadat tona, edhe atë jo, pse kemi nevojë, dhe jo vetëm pse jemi përfaqësues të rreth 23 mijë qytetarëve të Kosovës, por edhe për rëndësinë që kemi këtu në Zvicër para zviceranëve. Ambasadorja e re e Kosovës znj. Nazane Brace, na ka ftuar në takim të tre meshtarët dhe së bashku kemi organizuar shenjtërimin e Nënë Tërezës në Bernë para pak kohësh, dhe ishte shumë bukur. Me dy ambasadat tjera, personalisht nuk kam pasur kontakte. Vitin e kaluar na ka ardhur në vizitë konsulli nga Cyrihu. Shpresojmë të kemi një bashkëpunim më të mirë dhe më të frytshëm për të mirën e qytetarëve tanë.
Dhe për fund, si duket një ditë, një javë pune/shërbimi për një prift? A keni ditë të lira? Me çfarë orari punojnë/shërbejnë priftërinjtë?
Secili meshtar organizon planin ditor apo javor të vetin. Për ne në Sirnach, dita e punës fillon në ora 9:00 me meshën shenjtë në kishën tonë në Mision, ku vijnë edhe disa besimtarë, me të cilët pas meshës pimë kafe dhe zhvillojmë biseda. Pastaj vazhdojmë punët tona në zyrë, organizimet e punëve etj. Në 12 – 13:30 kemi pushimin e drekës. Pastaj vazhdojmë përsëri në zyre deri vonë në mbrëmje. Shumë shërbime i kryejmë edhe përmes telefonit, si p.sh. rezervimet për pagëzime, kurora etj. Pastaj në mbrëmje shkojmë për mësim feje apo ushtrime për këndim në Cyrih, St Gallen dhe Uznach SG. Kemi edhe ushtrime në qendrën tonë në Sirnach me koret, mësim feje si dhe me Ansamblin “Arbëresha”. Çdo të parën të diele të muajit pas meshës në Wil, në Qendrën tonë kemi apero ku vijnë shumë besimtarë. Mund të themi se jemi në dispozicion të besimtarëve 24 orë, sepse ndodh që të na thërrasin për vizitë tek ndonjë i sëmurë edhe natën vonë dhe ne pa përtesë shkojmë në Cyrih apo kudo që të jetë i sëmuri. Ndërsa të shtunave dhe të dielave kemi më shumë angazhime, meshë me kurora e pagëzime nëpër vende të ndryshme në Misionin tonë.
Pushimet i kemi një herë në vit, një muaj që ne e shfrytëzojmë për të shkuar në Kosovë, si të gjithë bashkatdhetarët tanë.
Shembulli i Nënë Terezës
Nëna Terezë është shembulli më i mirë se si duhet të ruajmë identitetin tonë kombëtar dhe fetar. Ajo në Oslo kur mori çmimin Nobel për paqe, para tërë atyre njerëzve, nuk hezitoi të thotë: Me gjak jam shqiptare dhe jam murgeshë katolike! Prandaj, edhe ju të rinj e të reja, sidomos kur jeni të sukesshëm e të mirë, mos t`ju vijë turp të thoni: Jam shqiptar dhe katolik si Nënë Tereza.
Tani me kënaqësi mund të them që kisha e Wil-it SG, na ka lejuar të ndërtojmë shtatoren e Nënës Terezë, të cilën shpresojmë ta inaugurojmë me një festë të madhe fetare dhe kombëtare, vitin tjetër. Sipas të dhënave tona, në Zvicër jetojnë rreth 23 mijë shqiptarë të besimit katolik.
E-Diaspora
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Që nga janari, sigurimet shëndetësore rriten me 6 për qind Çmimi mesatar i primeve të sigurimit shëndetësor është 378,70 franga në muaj. Për të rriturit, një...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel