Kosova

PZAP obligon KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe.

Në vendim thuhet se është anuluar njoftimi nën arsyetimin se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat shoqëruese të KQZ-së.

“Në rastin konkret Paneli vërtetoi se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin e kompletuar bazuar në nenet 16 dhe 17 të LZP-së dhe KQZ-ja është e obliguar që të certifikojë çdo subjket politik, i cili i plotëson kushtet e parapara ligjore, siç i ka plotësuar në rastin konkret subjekti politik Lista Serbe”, thuhet në vendim.

Tutje, PZAP shton se njoftimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, andaj KQZ-ja urdhërohet që ta zbatojë vendimin e PZAP-së.

Të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje, pasi dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, dy vota ishin pro dhe pati 7 abstenime.

Lista Serbe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që sipas tyre dha urdhër për moscertifikim të këtij subjekti.