Lajme

Putin: Shefi i Wagnerit “tradhtoi” Rusinë për “ambicie personale”

Në në prononcim për media presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar se do t’i ndëshkojë kryengritësit, pasi grupi mercenar Wagner, ka thënë se do ta rrëzojë udhëheqësinë e ushtrisë ruse, përcjell albinfo.ch.

Ai është shprehur se këto ditë kërkon konsolidim të gjitha forcave dhe tha se veprimet ishin tradhti dhe “një thikë në shpinë ndaj popullit rus”, pas deklaratave të fundit të shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.

Po ashtu, ai e ka pranuar se situata në Rostov-on-Don – qytet ku janë stacionuar pjesëtarë të Wagnerit – është e vështirë. Wagner ka pretenduar se e kontrollon këtë qytet rus afër kufirit me Ukrainën, ku banorëve u është thënë të qëndrojnë brenda.

Ndërkohë, mbrëmë, Rusia e ka rritur sigurinë në të gjitha aspektet: e ka kufizuar internetin dhe tanket ushtarake janë parë nëpër rrugët e Moskës.

Prigozhin e ka akuzuar ushtrinë se ka nisur sulme vdekjeprurëse ndaj forcave të tij në Ukrainë – ku trupat e Wagnerit luftojnë përkrah ushtrisë ruse. Moska ka hedhur poshtë diçka të tillë.