Lajme

Punonjësit zviceranë pesimistë për pagat e vitit 2025

Pothuajse gjysma e të gjithë punonjësve në Zvicër nuk janë në dijeni të diskutimeve mbi pagat brenda kompanisë së tyre, zbulon një sondazh. Veçanërisht gratë nuk presin që paga e tyre të rritet deri në vitin 2025.

Sondazhi i publikuar të enjten, i kryer nga Demoscope në emër të Employés Suisse mes 1004 personave, tregon se shumica e punonjësve janë “të kënaqur” me punën e tyre.

Megjithatë, organizata thekson se pasiguria vazhdon kur bëhet fjalë për pagesën. Kjo në veçanti për faktin se pothuajse gjysma e punonjësve në fjalë nuk kanë mundësi të diskutojnë mbi pagat, transmeton albinfo.ch.

“Është e papranueshme që kaq shumë kompani të mos zhvillojnë diskutime për pagat”, thotë Tanja Tenneberger, shefe e komunikimit në Employés Suisse, në deklaratën për shtyp. “Kompanitë që nuk ofrojnë negociata të drejta dhe transparente po injorojnë inflacionin. Dikush pyet veten nëse ata nuk po i optimizojnë marzhet e tyre në kurrizin e punonjësve.”

Në detaje, 54% e femrave nuk presin rritje vitin e ardhshëm, krahasuar me “vetëm” 37% të meshkujve. Në përgjithësi, punonjësit e moshuar janë mjaft skeptikë për një rritje, shkruan swissinfo.

Në përgjithësi, stafi do të zgjidhte një rritje standarde të pagave. Megjithatë, një e katërta e të anketuarve do të preferonin të përfitonin nga reduktimi i orarit të punës, për të njëjtën pagesë.