Lajme

Punëtorët nga vendet e BE-së nuk shkaktojnë dumping të pagave në Zvicër

Seco kundërshton spekulimet se, ardhja e punëtorëve nga vendet e BE-së në Zvicër, ka shkaktuar “dumping” ose pagesa më të ulëta në krahasim me mesataren në tregun zviceran të punë

Lëvizja dhe qarkullimi i lirë i njerëzve, e cila funksionon në mes të Zvicrës dhe shteteve anëtare të BE-së, nuk ka ndonjë ndikim negativ në të ardhurat që paguhen në Zvicër. Këtë konstatim e ka arritur Sekretariati Shtetëror për Ekonomi (Seco) dhe e ka publikuar në raportin e tij më të ri, shkruan srf.ch.

Me këtë raport, Seco kundërshton spekulimet se, ardhja e punëtorëve nga vendet e BE-së në Zvicër, ka shkaktuar “dumping” ose pagesa më të ulëta në krahasim me mesataren në tregun zviceran të punës.

Sipas Seco-s, m asat e ashtuquajtura mbrojtëse të kushteve të punës, kanë kontribuuar në mos krijimin e dumpingut, transmeton albinfo.ch. Po ashtu, migrimi nuk i përkeqëson shanset e vendësve për një vend pune. Veç kësaj, Seco nuk sheh dëshmi për ndonjë “vërshim” të të huajve në entet sociale të Zvicrës.

Edhe pse shkalla e papunësisë te shtetasit e vendeve të BE-së është mesatarisht më e lartë se te zviceranët, qytetarët e BE-së që punojnë në Zvicër paguajnë më shumë për AHV (fondi i pensioneve të moshës dhe trashëgimisë) se sa që përfitojnë nga pensionet gjegjësisht format tjera të kompensimit.