Shkurt.ch

Punëtorët e ndërtimit kërkojnë kushte më të mira pune

Ndërkaq, kërkesat për të ardhura më të larta ose për shtesa apo pushime, janë dukshëm më të pakëta në mesin e ndërtimtarëve

Një anketë e bërë nga sindikatat zvicerane me punëtorët e ndërtimit ka identifikuar disa nga shqetësimet më të shpeshta që mundojnë këta punëtorë. Punëtorët që punojnë në ndërtimtari kërkojnë përkujdesje më të mirë sociale dhe kushte më të mira pune, shkruan swissinfo.ch.

Pagesa e plotë në rast sëmundjeje, aksidenti ose moti të keq, është njëra nga kërkesat e tyre. Ata po ashtu kërkojnë rregulla të qarta për atë se kur mund të ndërpresin punën për shkaqe shëndetësore, në rast moti me vapë ose me lagështi.

Ndërkaq, anketa ka konstatuar se kërkesat për të ardhura më të larta ose për shtesa apo pushime, janë dukshëm më të pakëta në mesin e ndërtimtarëve.

Unia dhe Syna, dy sindikatat që përfaqësojnë punëtorët e ndërtimtarisë, dëshirojnë që kërkesat e përmendura të punëtorëve t`i fusin në Marrëveshjen e Përgjithshme të Punës, e cila pritet të negociohet deri në fund të vitit.

Kjo marrëveshje rregullon kushtet e punës për rreth 100 mijë punëtorë ndërtimi.