Shkurt.ch

“Pullë alarmi” për mbrojtje nga klientët agresivë

Një pullë alarmi shihet si shpëtim për nëpunësit e kantonit të Bernës, të cilët, kohëve të fundit po përballen me një agresivitet të shtuar dhe kërcënime nga ana e klientëve. Lidhur me masën më të re në shërbim të mbrojtjes së nëpunësve që kanë kontakt me klientë, ka shkruar sot gazeta „Berner Zeitung”.

Sipas gazetës, në të ardhmen, zyrtarët, në veçanti ata të zyrave të përmbarimit dhe sekuestrimit, klientët e tyre do t`i presin në kabina për një person. Ndërsa mbrapa sportelit, ata do të kenë në dispozicion pullën e alarmit, të cilën nëpunësit, në rast kërcënimi, do ta shtypin.

Në ndërtesën administrative të Bernës që aktualisht është duke u rinovuar, do të vendosen detektorë të metalit, të cilët do të pamundësojnë futjen e armëve brenda ndërtesës. Po ashtu, të punësuarit që kanë më shumë kontakt me palët, do të trajnohen për mënyrën se si të sillen me klientët agresivë.