Tematike

Publikohet Raporti mbi Diskriminimin Racor

Motivet kryesore të diskriminimit janë nacionaliteti dhe prejardhja

Në prag të Javës së Aksionit kundër Racizmit (21-27 mars) Qendra për Luftimin e Racizmit FRB ka publikuar të enjten raportin e saj të dytë mbi diskriminimin racor në Zvicër.

Qendra… për të treguar trendin e racizmit ka bërë për herë të parë përmbledhjen e qëndrimeve, të dhënave e regjistrimeve që institucione të ndryshme në Zvicër kanë bërë lidhur me këtë dukuri. Janë marrë parasysh me këtë rast edhe rezultatet e sondazheve të publikuara në shkurt të këtij viti lidhur me qëndrimet raciste. Aty shihet se numri i veprave penale me prapavije raciste nga viti 1992 deri në vitin 2007 ka shkuar duke u rritur por nga viti 2007 e këndej ka një trend uljeje. Por, ndryshe nga ky sondazh, këshillimoret e ndryshme vazhdojnë të regjistrojnë rritje të numrit të rasteve të racizmit që paraqiten te to.

Motivet kryesore të diskriminimit janë nacionaliteti dhe prejardhja. Veçanërisht të shpeshta janë rastet e diskriminimit gjatë kërkimit të punës dhe në përditshmërinë e punës. Meshkujt janë më shpesh viktima se femrat ndërsa të rinjtë më shpesh se të vjetrit, konstaton raporti.

Krahas pasqyrimit të gjendjes së diskriminimit raporti prezanton edhe propozime për zgjidhje në fsha të ndryshme si dhe tregon për aktivitetet të zhvilluara në nivel kantonesh në kuadrin e programit për integrim KIP që ka filluar nga janari i vitit 2014.

Luftimi i diskriminimit është pjesë e promovimit të integrimit dhe për këtë arsye njerëzit e diskriminuar në të gjitha kantonet përfitojnë nga këshillimet kompetente ndërsa strukturat që mundësojnë diskriminimin duhen hequr.

Po ashtu Raporti përmban edhe informacione në lidhje me konceptet më të rëndësishme, bazën ligjore dhe kompetencat institucionale.

“Raporti…” është publikuar në prag të Javës së Aksionit kundër Racizmit, e cila zhvillohet në qytete dhe komuna të ndryshme të Zvicrës, thuhet në një komunikatë të Departamentit Federal për Punë të Brendshme.

Për më shumë informacione lidhur me Javën kundër racizmit: www.frb.admin.ch/Aktuell/Aktionswoche