Lajme

Publikohet formulari për regjistrimin e popullsisë

Kosova është përgatitur për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave që pritet të mbahet nga 1 deri më 15 prill. Komisioni Qendror për Regjistrimin e Popullsisë ka miratuar përdorimin dhe dizajnimin e formularit për regjistrimin që është konform ligjit dhe rekomandimeve të BE-së.

Kryetari i Komisioni Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, ka bërë të ditur dje se miratimin e këtij formulari Kosova shënon edhe një progres, sepse po hyn në kuadër të shteteve, të cilat prodhojnë statistika të besueshme, qëndrueshme, të matshme dhe krahasueshme dhe është një nga shtyllat tepër të rëndësishme për funksionimin e shtetit. “Me këtë bëhet hapi tepër i rëndësishëm për të prodhuar edhe statistika zyrtare oficiele si shtet, të cilat që nga OKB-ja dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare do të jenë valide”, ka thënë Blaku.

Ndërkohë, kryetarët e komunave janë të obliguar që t’i formojnë komisionet komunale për regjistrim, që do të përbëhen nga nëntë anëtarë dhe kjo sipas tij është njëra ndër politikat që do të mundësojë regjistrimin edhe të serbëve në Kosovë.

Prishtina zyrtare bërë ftesë që regjistrimi I popullsisë të mos politizohet, por Beogradi zyrtar ka qëndrim ende të paqartë, por disa zyrtarë serbë ftojnë në bojkotim të popullatës serbe të regjistrimi të organizuar nga Kosova.

Sipas Blakut, formulari ka 41 pyetje bazë dhe është i standardeve evropiane – pyetja numër nëntë është cilës grup etnik apo kulturor i takoni dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës personi i regjistruar mund të zgjedhë, por edhe mos të deklarohet.

Formularët do të shtypen në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe angleze.  Herën e fundit regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë është mbajtur para 30 vjetësh.