Kosova

Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës në KiE. Tani për këtë vendim nuk ka mbetur asnjë pengesë politike, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, edhe serbët e pranojnë publikisht humbjen e tyre në këtë betejë dhe parashikojnë se Kosova do të marrë një ftesë zyrtare për anëtarësim në Këshillin e Evropës në më pak se një muaj, thuhet në një shkrim autorial të mediumit nga Ukraina, “European Pravda”.

Sipas shkrimit për Beogradin, 16 prilli është një ditë e disfatës politike, të cilën autoritetet serbe e kanë shtyrë me sukses për shumë vjet, por nuk kanë arritur ta bëjnë këtë në dy vjetët e fundit.

Artikulli shkruan se disa shtete, përfshirë disa anëtare të BE-së, ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, kryesisht për shkak se kanë çështjet e tyre të brendshme, e njëra ndër to është edhe Ukraina.

Për këtë arsye Kosova u bllokua nga organizatat ndërkombëtare.

Procesi filloi pas pushtimit në shkallë të plotë më 2022. Pastaj, kur rusët u dëbuan nga Këshilli i Evropës, Kosova aplikoi në Strasburg dhe procesi filloi, ndërkaq serbët, të cilët gjithmonë mbështeteshin te rusët, e gjetën veten në një realitet të ri.

Faza finale e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në muajin maj, çka dihet deri tash?

Për Kosovën, anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në radhë të parë çështje njohjeje. Dhe këtë nuk e kanë përmendur vetëm folësit serbë, deklaratat e të cilëve kryesisht janë injoruar. Këtë nuk e fshehën vetë kosovarët, madje, dokumenti i miratuar drejtpërsëdrejti thotë se statusi i Kosovës po ndryshon, shkruan artikulli.

Sepse Këshilli i Evropës si organizatë, që nga momenti i ftesës së Kosovës duhet “të ndërpresë politikën e saj neutrale ndaj statusit”, pra të njohë sovranitetin e saj, thuhet në vendim, shkruan artikulli treansmeton  Telegrafi.

Sipas këtij medium ukrainas, Strasburgu, natyrisht, nuk mund të detyrojë Kievin, Bukureshtin apo Madridin që të ndërmarrin ndonjë veprim ligjor në marrëdhëniet ndërkombëtare, e lëre më të njohë pavarësinë e Kosovës. Por, injorimi i këtij ndryshimi do të jetë gjithashtu i vështirë, sepse në kuadër të Këshillit të Evropës, Ukraina tani do të duhet të komunikojë me Kosovën në nivel zyrtar, diplomatik.

Mediumi ukrainas shkruan se qartësimi do të vijë pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 16-17 maj në Strasburg, i cili supozohet të miratojë vendimin përfundimtar.

Fati do të vendoset jo vetëm për Serbinë, por edhe për Ukrainën. Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për një arsye. Nga ana tjetër, kur zgjedh një partner, ka më shumë kuptim të mbështeten kosovarët, të cilët ndihmojnë Ukrainën gjatë agresionit rus dhe madje dërgojnë ndihmë ushtarake për Forcat e Armatosura të Ukrainës, sesa për qeverinë proruse të Serbisë. Për më tepër, nuk do të ishte mirë të merrej një armik tjetër në formën e Beogradit, veçanërisht duke pasur parasysh thashethemet se municionet serbe përfundojnë në Forcat e Armatosura të Ukrainës përmes mekanizmave të ri-eksportit (me pëlqimin e heshtur të qeverisë serbe). Tani për tani, Kievi po përpiqet të “fusë gjilpërën” pa ofenduar asnjërën palë përfundon artikulli autorial në këtë medium.