Opinione
Pse unë shkoj n’Kosovë
Lidhja me familjen tek shumica e mërgatës tanimë konsiderohet çelës i vetëm që asaj i hapë dyert e Kosovës!
Për çdo vit, sidomos gjatë muajve të verës mërgata shqiptare nga Kosova e shpërndarë në të katër anët e globit i kthehet vendit të origjinës, atje ku pikë lidhëse ka familjen që ende vlerësohet ndër institucionet më të çmuara. Ky institucion, edhe pse në një periudhë kohore krejtësisht ndryshe nga ajo që ishte në kohën e migrimeve, është duke ndryshuar jo vetëm strukturën por edhe funksionimin që kishte, gjë që llogaritet krejt normale dhe respektohet në evolucionin e vet natyral.
Lidhja me familjen tek shumica e mërgatës tanimë konsiderohet çelës i vetëm që asaj i hapë dyert e Kosovës!
Pas përfundimit të luftës, atëbotë kur një pjesë e konsiderueshme e mërgatës kishte vënë në pikëpyetje ekzistencën e saj jashtë Kosovës, tanimë gjithçka rreth tyre të lë të kuptosh se vendimi i tyre është i marrë për një periudhë të gjatë dhe ëndrrat e tyre shumëvjeçare sikur nuk robërojnë më shpirtin e tyre të ndarë në dy.
Ëndrrat e tyre tani nuk udhëhiqen nga emocionet e larmishme por tashmë nga zëri i arsyes dhe nga një vetëkontroll i shëndoshë.
Janë të paktë apo asnjëri prej nesh, megjithëse ka ndryshuar dukshëm standardin e tij jetësor brenda Kosovës, duke realizuar projekte individuale që lidhen ngushtë me institucionin familjar, që kanë sot pretendimet që kishin në kohën e përfundimit të luftës.
Pritjet e gjata për një rindërtim të Kosovës dhe funksionim të denjë të strukturave demokratike në këtë shtet të brishtë, janë shndërruar pothuajse në një ” refren ” të mërzitshëm dhe gati kanë humbur kuptimin e tyre në kohë. Megjithatë, edhe pse çdonjërit prej nesh, situata aktuale i krijon keqardhje, asnjëri nga ne nuk heq dorë nga vullneti i mirë që të mbrojë dhe të mbajë në këmbë institucionin e tij familjar. Çdonjëri prej nesh kthehet nga Kosova me përshtypjen se idealet e një populli të tërë sikur janë zbehur nën hijen e varfërisë (më se 30% ), papunësisë (më se 50%) dëshirës së rinisë për të imigruar dhe korrupsionit të shtrirë në çdo institucion shtetëror.
Mirëpo secili prej nesh duke u ndjerë në një formë apo tjetër bashkëfajtor i kësaj gjendjeje që mbretëron në vend, është padyshim optimist në jetësimin e shtetit të tyre, të tillë çfarë ata e duan. Por evolucioni shoqëror, politik dhe ekonomik nga këndvështrimi i tyre çalon me hapa jashtëzakonisht të ngadalshëm që i lë vend frikës për një përkeqësim të situatës edhe me tutje duke qëndruar me decenie larg qëllimit që t’i bashkohemi familjes së shteteve të zhvilluara evropiane.
Ajo që më shumti dhemb e që reflektohet dukshëm nga institucioni familjar të cilën mërgata e ruan me xhelozi, janë institucionet shtetërore e private në fushën e edukimit, shkollimit dhe formimeve profesionale të cilat janë kriteret kyçe që bëjnë matjen e zhvillimit socio-politik dhe ekonomik të vendit.
Asnjërit prej nesh më nuk i pëlqen refreni i klasës politike kosovare se ” Kosova është në tranzicion”! “Tranzicioni” prej më se 17 vitesh nuk arsyeton situatën e krijuar për ndryshimin e së cilës popullit i mungojnë liderë të denjë apo ndjehet krejtësisht i pafuqi përballë ” klanit” politik e kriminel që ka marrë shtetin nën rrjetin e tij, të shtrirë edhe deri tek organet e sigurisë dhe drejtësisë në vend.
Edhe pse shumëkujt prej nesh i është dhënë mundësia të kontribuojë në zhvillimin e vendit të origjinës, me kalimin e kohës, dukuria e përkrahjes së korrupsionit në vend, qoftë në formë direkte apo indirekte, vetvetiu është ngritur mbi sipërfaqe përderisa shpallja e luftës ndaj kësaj dukurie tani kërkon strategji dhe mjete luftarake krejtësisht të reja. Në mungesë të tërheqjes atraktive të burimeve investuese nga mërgata, edhe popullit të Kosovës, nuk i bëjnë më përshtypje premtimet e thata politike të cilat vijnë nga një klase e paaftë që vetëkënaqet me egon e saj duke tentuar me çdo kusht të mbajë nën kontroll Kosovën-geto të Ballkanit. Populli i lodhur shtrin përsëri krahun dhe hedh shikimin e tij tek mërgata.
Asnjërit prej nesh nuk do t’i pëlqente të kthehet nga vendi i origjinës me keqardhje për të e të rrëfehet se “unë shkoj vetëm sa për familjen në Kosovë”!
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?