Kosova

Pse takimi Kurti-Vuçiq do të mbahet në Ohër?

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut tregon arsyet

Pas shumë supozimeve të hamendësuara, kryediplomati shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në takim me qytetarët e Shkupit ka folur për rëndësinë e faktorit shqiptar në vend dhe takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë, ku pritet të diskutohet për planin e zbatimit të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të të dyja shteteve, përcjell albinfo.ch.

“Për një javë, në Ohër takohet kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë. Shpresoj për të nënshkruar Marrëveshje për njohje. A e dini pse pikërisht në Ohër? Si mirënjohje për suksesin e Marrëveshjes së Ohrit. Por, edhe si mirënjohje për rolin tonë të ri si shtet në rajon”, ka deklaruar Osmani.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars pritet të takohen në Ohër për të diskutuar për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.

Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimet e ndara do të zhvillohen duke filluar në ora 10:00, ndërsa ai trepalësh pas mesditës.

“Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq”, thuhet në njoftim.