Lajme

Pse shërbimet e transportit publik së shpejti mund të kushtojnë më shumë dhe të jenë më pak të shpeshta

Transporti publik në Zvicër ka gjasa të bëhet edhe më i shtrenjtë dhe gjithashtu mund të ketë më pak shërbime – të gjitha për shkak të shkurtimeve buxhetore.

Këshilli Federal do të shkurtojë financimin e dhjetëra programeve në vitin 2025 në mënyrë që të kompensojë një deficit të parashikuar prej rreth 3 miliardë frangash në vit.

Financimi i infrastrukturës së transportit publik, veçanërisht trenave dhe autobusëve rajonalë, do të jetë në mesin e këtyre shkurtimeve – në masën rreth 60 milionë franga në vit, transmeton albinfo.ch.

Çfarë ndikimi do të ketë kjo masë tek përdoruesit e transportit publik të Zvicrës?

Një buxhet më i ulët ka të ngjarë të rezultojë në çmime më të larta të biletave, sipas llogaritjeve nga mediat zvicerane, megjithëse nuk ka shifra të sakta në këtë pikë.

Në të njëjtën kohë, shërbimet rajonale – domethënë ato jashtë linjave kryesore – do të duhet të kompensojnë një buxhet më të ulët federal duke reduktuar disa shërbime.

Nuk dihet ende se cilat shërbime do të reduktohen, por ato mund të përfshijnë trena dhe autobusë më të rrallë, ose disa mund të eliminohen fare.

Kantonet nën presion

Arsyeja nuk do të ishte vetëm mungesa e fondeve federale, por edhe kantonale.

Autoritetet kantonale, të cilat gjithashtu subvencionojnë sistemet e tyre lokale të transportit publik, janë të shqetësuara se mund t’u duhet të kompensojnë mungesën e fondeve federale për të ruajtur shërbimet e tyre rajonale, shkruan thelocal.

Dhe asnjë prej tyre nuk do të jetë në gjendje të përballojë këtë shpenzim shtesë.

Shoqata e transportit të Cyrihut, për shembull, vuri në dukje se kantoni tashmë paguan një shumë të konsiderueshme për sistemin e tij.

Lucerni dhe St. Gallen po përballen me sfida të ngjashme.

Ata kanë theksuar gjithashtu se rritja e çmimeve mund të bëjë që pasagjerët të kalojnë nga hekurudha në atë rrugore, gjë që do të ishte në kundërshtim me objektivin afatgjatë të qeverisë për të kaluar nga automjeti në transportin publik.

Ata thonë gjithashtu se buxhetimi për infrastrukturën e transportit në territoret e tyre duhet të bëhet paraprakisht dhe jo në momentin e fundit, siç do të ishte për vitin 2025.

I shtrenjtë dhe ende në rritje

Ky zhvillim vjen menjëherë pasi ‘monitoruesi i çmimeve’ zyrtar i Zvicrës, Stefan Meierhans, kritikoi sistemin tashmë të mbiçmuar të transportit publik.

Ai raportoi se çmimi i biletave të trenit dhe kartave të udhëtimit është rritur në 10 vitet e fundit, ndërsa kostoja e udhëtimeve me vetura është rritur vetëm minimalisht gjatë kësaj periudhe.

“Evolucioni i çmimit/kostos ndërmjet hekurudhave dhe rrugëve, i parë në 10 vitet e fundit vazhdon të përkeqësohet”, tha Meierhans.

“Kjo nuk është një performancë e këndshme, qartësisht në kundërshtim me objektivat e lëvizshmërisë së qeverisë”, shtoi ai.