Lajme

Pse qytetarët e kantoneve gjermanishtfolëse kanë aftësi më të larta të gjuhës angleze?

Basel-Stadt është fituesi, i vetmi kanton, niveli i gjuhës angleze i të cilit është cilësuar si "shumë i lartë"

Sipas një studimi të ri, në varësi të vendit ku jetoni në Zvicër, popullata lokale që takoni mund të flasë rrjedhshëm anglisht ose një anglisht të thyer.

Ju e dini tashmë se, edhe pse përdoret gjerësisht në mjedisin e biznesit dhe në shumë mjedise të tjera, anglishtja nuk është një nga katër gjuhët zyrtare të Zvicrës.

Dhe, sipas Indeksit të ri të Aftësisë Angleze 2024 të publikuar nga EF Education First, i specializuar në trajnimin gjuhësor, anglishtja nuk është pika më e fortë e Zvicrës.

Për renditjen e saj të vitit 2024, kompania vlerësoi 116 vende bazuar në testet e bëra nga vullnetarët në çdo komb dhe rajon.
Zvicra është në vendin e 31-të – shumë më poshtë se Holanda (1), Norvegjia (2) dhe Singapori (3).

Madje u rendit më poshtë se fqinjët Austria (9) dhe Gjermania (10).

Nga ana tjetër, ajo është përpara dy fqinjëve të tjerë – Italisë (46) dhe Francës (49).

Megjithatë, duke qenë se Zvicra është një shtet federalist, dhe për shumë aspekte kantonet janë entitete të pavarura, niveli i anglishtes në disa e tejkalon shumë atë të kantoneve të tjera.

Studimi vlerësoi vetëm 18 nga 26 kantone, por megjithatë u shfaq një prirje e qartë: ato zvicerano-gjermane kanë një aftësi më të lartë të gjuhës angleze se sa homologët e tyre që flasin frëngjisht dhe italisht, përcjell albinfo.ch.

Kantoni Basel-Stadt është fituesi i qartë, i vetmi kanton, niveli i gjuhës angleze i të cilit është cilësuar si “shumë i lartë”.

Më pas janë Zug, Cyrih, Aargau, Basel-Land, Solothurn, Lucern, St. Gallen dhe Schwyz, të cilat të gjitha vlerësohen si ‘të larta’ për sa i përket zotërimit të gjuhës angleze.

Po rajonet frankofone?

Bëhuni gati për një tronditje të madhe: Gjeneva, kantoni më ndërkombëtar i Zvicrës, ku anglishtja është gjuha e dytë de-facto, shënoi vetëm një vlerësim ‘të moderuar’, siç bëri Vaud, një tjetër kanton me një përqindje të madhe të huajsh.

Kantonet e tjera frëngjisht-folëse, së bashku me Bernën, Graubünden dhe Ticino, morën të gjitha gjithashtu rezultatin “të moderuar”.

(Në notën pozitive, asnjë kanton zviceran nuk u gjet të kishte nivel të aftësisë “të ulët” ose “shumë të ulët” në anglisht). Pse ka një pabarazi të tillë midis kantoneve gjermanisht, frëngjisht dhe italishtfolës?

Sipas Laurent Morel, menaxher i përgjithshëm i EF, këto dallime janë për shkak të “komponentëve arsimorë dhe kulturorë”.

“Kantonet gjermanishtfolëse priren ta integrojnë anglishten më herët dhe më intensivisht në kurrikulat e tyre shkollore dhe kjo është arsyeja”, tha ai.