Lajme

Pse Lituania është vendi më i mirë në botë për të rinjtë

Aq të mira janë mundësitë dhe aq i lartë është niveli i optimizmit në Lituani, saqë vendi ka kryesuar në renditjen e Raportit Botëror të Lumturisë për personat nën moshën 30-vjeçare. Universiteti është falas, ekonomia është duke lulëzuar dhe klubet e natës janë të mbushura. Pra a është çudi që të rinjtë në Vilnius janë të lumtur?

Nën hijen e një peme, në një ditë të nxehtë në Vilnius të Lituanisë, disa të rinj, që duken si më të lumturit në botë, po pinë kafe. Meqë moti është perfekt dhe pijet janë të lira, është e vështirë të mos ndihesh kaq i lumtur. Simona Jurkuvenaite, 23-vjeçare, sapo ka marrë 21 mijë euro nga Qeveria e Lituanisë për të bërë një film të metrazhit të shkurtër për adoleshentët e vendit.

“Ky është një vend shumë i mirë”, thotë ajo, duke bërë me gisht ka sheshi ku janë të ulur, në qoshen e qytetit të ri. “Është mjaft mbresëlënëse që ke mundësi të tilla këtu”.

Aq të mira janë mundësitë dhe aq i lartë është niveli i optimizmit saqë Lituania ka kryesuar në renditjen e Raportit Botëror të Lumturisë për personat nën moshën 30-vjeçarë. Adoleshentët dhe të rinjtë e vendit e kanë vlerësuar veten 7.76 prej 10 në shkallën e lumturisë, shumë më lart sesa Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht në vendin e 32-të dhe 62-të. Ndërsa raporti e ka alarmuar Perëndimin për mirëqenien e rinisë së vendeve, njëzetvjeçarët mund të fillojnë të krijojnë memes dhe video në platformën TikTok, për ta konfirmuar se sa mirë e kalojnë aty.

“Mua në fakt më pëlqen këtu”, thotë shoku i Jurkuvenaites, Gantas Bendikas, gati si duke kërkuar falje. 23-vjeçari është gati të diplomojë pa borxhe dhe, sipas tij, pa frikën nëse do të gjejë punë.

“Po, natyrisht që ka probleme, por ka probleme gjithkund”, thotë ai. “Unë mendoj se shumë të rinj këtu janë mjaft patriotë. Ndjej, të paktën në Vilnius, sikur ne jetojmë jetë të mirë në krahasim me vendet e tjera evropiane”.

Kuptohet, nuk është vendi më emocionues në botë: Jurkuvenaite ankohet se ndonjëherë “mund të jetë pak e mërzitshme” dhe Bendikas thotë se ka dëshirë të vizitojë edhe vende tjera para se të jetojë aty përfundimisht.

Bordi i Turizmit i Vilniusit është i vetëdijshëm dhe e ka quajtur vendin “Pika G e Evropës” sepse “askush nuk e di se ku është”.

Por në krahasim me problemet e zgjedhjeve të përgjithshme, borxhit të përhapur të studentëve dhe krizës së strehimit në Mbretërinë e Bashkuar, duket ide më e mirë zgjedhja e qytetit “të mërzitshëm”.

Pirja e kafesë nën rrezet e diellit dhe ngrënia e një ëmbëlsire që nuk kushton shumë – duket ide shumë më e mirë.

Lituania e Jurkuvenaites dhe Bendikas është mjaft e ndryshme prej asaj ku janë rritur prindërit e tyre. Bruto Prodhimi i Brendshëm i ish-vendit sovjetik për kokë banori është katërfishuar deri më tash. Sektori  në rritje i teknologjisë së saj i numëron “unicornët” Vinted dhe Nord Security, kompani miliardëshe, në mesin e eksporteve të veta dhe vitin e kaluar, të ardhurat mesatare bruto të vendit janë rritur për 12.6%. Universiteti është falas dhe 57% e popullsisë kanë të kryer arsimin e lartë, e mesatarja e Bashkimit Evropian është 43%.

Siç e thotë tregtarja 23-vjeçarja, Karolina Motiejūnaitė: “Ne të gjithë jemi lindur në Lituaninë e lirë. Ne nuk dimë tjetër”.

Statusi i ri i Lituanisë si kryeqyteti i të rinjve të botës mund të duket befasuese për njerëzit që veç jetojnë aty, por nuk duket si e tillë për studiuesit e raportit, të cilët i kanë vëzhguar vendet baltike duke u ngritur në renditje që kur kanë filluar t’i mblidhnin të dhënat.

“Pak a shumë gjatë tërë kohës së mbledhjes së të dhënave për Raportin Botëror të Lumturisë ka pasur ngushtim në hendek mes Evropës lindore dhe perëndimore, sa i përket kënaqësisë mesatare për jetën e tyre”, shpjegon John Helliwell, redaktori themelues i studimit vjetor, i cili e mat mirëqenien e 140 kombeve dhe është i koordinuar nga Qendra për Studimet e Mirëqenies së Universitetit të Oksfordit “Gallup” dhe Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm i OKB-së. “Ndërsa është ngushtuar hendeku, tani është momenti kur të rinjtë janë dukshëm më të lumtur sesa gjeneratat më të vjetra të Evropës qendrore dhe lindore”.

Në anën tjetër të qytetit është ish-burgun Lukiškės, burg i vjetër i vitit 1905 që është duke u transformuar në një bashkësi të studiove të artistëve dhe ambiente të koncerteve. Nuk është e vështirë për t’u parë pse. “Kur flas me shokët e mi nga vendet e tjera – Paris, Tokio, Londër – e kuptoj sa me fat jam që kam hapësirën time”, thotë artistja 28-vjeçare, Jolita Vaitkutė, nga studioja e saj në katin e tretë, prej dritareve të së cilës hyn drita dhe e mbush dhomën me jetë.

Në oborrin e mbuluar nga dielli poshtë, njëzet dhe tridhjetëvjeçarët me bluza të mëdha, pinë birra mes mureve të rrethuar me tela me gjemba.

“Unë kam vendosur të qëndroj këtu sepse më pëlqen”, thotë ajo. “Nuk kam nevojë të punoj një punë që nuk më pëlqen dhe nuk kam nevojë të punoj nga një zyrë”.

Studiot e ndërtesës, që janë përdorur për ta incizuar sezonin e katërt të serisë së Netflixit, “Stranger Things”, kanë qira prej 100 deri në 500 euro në muaj, sipas Martynas Butkevičius, agjencia e muzikës e së cilës e ka fituar tenderin publik për ta transformuar në ambient kulturor. Qiratë në vend janë kryesisht të lira në krahasim me vendet e tjera evropiane – edhe pse ka pasur rritje për 144% mes viteve 2010 dhe 2022, e dyta më e lartë në BE pas Estonisë.