Kosova

Pse Kosova nuk është në listën e udhëtimeve “free Covid” të BE-së?

Ministri Vitia shpreh shqetësim

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Kosova aktualisht e ka shkallën e ulët të pozitivitetit të rasteve me koronavirus, nën 1%, gjatë një takimi me udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, transmeton albinfo.ch.

Për këtë, ai nga Szunyog ka kërkuar edhe trajtimin e barabartë nga BE-ja për të gjitha shtetet e rajonit përfshirë edhe Kosovën.

Bashkimi Evropian sot zyrtarisht ka lejuar udhëtimin e qytetarëve nga Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia drejt vendeve të BE-së. Këto tri shtete fqinje janë vënë në listën e udhëtimeve “free Covid”, nga BE-ja.

Njoftimi i plotë:

Ministri i Shëndetësisë z. Arben Vitia sot priti në takim udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomáš Szunyog.

Në këtë takim Ministri Vitia njoftoj z. Szunyog për situatën epidemiologjike në vendin tonë, procesin e vaksinimit masiv, dhe e informoj rreth përgatitjeve sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit.

Me theks të vecantë Ministri Vitia përmendi indikatorët kryesor të gjendjes epidemiologjike si tregues kryesor të cilët janë: Rënia e dukshme e rasteve të vdekjes dhe e hospitalizimeve, numrin e ulët të rasteve, shkallën e ulët të pozitivitetit nën 1% dhe indikatorë të tjerë që e tregojnë situatën epidemiologjike si shumë të mirë dhe stabile për momentin. Ministri Vitia gjithashtu shprehu shqetësimin se përkundër kësaj, Republika e Kosovës nuk është në listën e udhëtimeve “Free COVID” të BE-së, pavarësisht situatës shumë të mirë epidemiologjike. Trajtimi do duhej të jetë i barabartë për të gjitha shtetet e rajonit sidomos kur janë indikatorë të matshëm dhe të cilat Republika e Kosovës i ka përmbushur.

Në anën tjetër, z. Szunyog u shpreh i lumtur për përmirësimin e situatës epidemiologjike dhe së bashku me Ministrin Vitia u dakorduan për të vazhduar tutje bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës në përmirësimin dhe përforcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.