Bota

Pse Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë

Ngrohja e motit, do të ndikojë në shëndetin, natyrën dhe ekonominë, thuhet në raportin e WMO dhe Copernicus

Evropa, është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë dhe temperaturat e saj po rriten, me afërsisht dyfishin e mesatares globale, raportuan dy organizata kryesore të monitorimit të klimës, duke paralajmëruar pasojat për shëndetin e njeriut, shkrirjen e akullnajave dhe aktivitetin ekonomik.

Mesatarja e fundit pesëvjeçare, tregon se temperaturat në Evropë, tani janë 2.3 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, krahasuar me 1.3 C më të larta në nivel global, shpjegoi një raport i përbashkët i publikuar nga Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së (WMO) dhe agjencia e klimës e Bashkimit Evropian, Copernicus, shkruan Euronews, transmeton albinfo.ch.

Evropa duhet të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së rinovueshme

WMO dhe Copernicus, thanë se kontinenti, ka mundësinë të zhvillojë strategji të synuara, për të shpejtuar kalimin drejt burimeve të rinovueshme si era, dielli dhe energjia hidroelektrike, në përgjigje të efekteve të ndryshimit të klimës.

Kontinenti, gjeneroi 43 % të elektricitetit, nga burimet e rinovueshme vitin e kaluar, nga 36 % një vit më parë. Më shumë energji në Evropë, u gjenerua nga burimet e rinovueshme sesa nga lëndët djegëse fosile, për të dytin vit radhazi.

Copernicus, ka raportuar se Marsi, shënoi muajin e 10-të radhazi të temperaturave mujore rekord. Temperatura mesatare e sipërfaqes së detit në të gjithë Europën, arriti nivelin më të lartë vjetor, në vitin 2023, thuhet në raportin e Evropës.

Humbjet e jetës të lidhura me klimën, janë rritur në të gjithë Evropën

Raporti evropian, fokusohet këtë vit, në ndikimin e temperaturave të larta në shëndetin e njerëzve, duke vënë në dukje se vdekjet nga nxehtësia, janë rritur në të gjithë kontinentin. Ai tha, se më shumë se 150 jetë, u humbën nga stuhitë, përmbytjet dhe zjarret.

Kostoja e humbjeve ekonomike, të lidhura me motin dhe klimën në vitin 2023 u vlerësua në më shumë se 13.4 miliardë euro.

“Qindra mijëra njerëz, u prekën nga ngjarjet ekstreme klimatike në vitin 2023, të cilat kanë qenë përgjegjëse për humbje të mëdha në nivel kontinental, të vlerësuara të paktën në dhjetëra miliarda euro”, tha drejtori i Copernicus, Carlo Buontempo.

Moti ekstrem, ka nxitur valë të nxehti, zjarre, thatësira dhe përmbytje, thuhet në raport. Temperaturat e larta, kanë kontribuar në shkrirjen e akullit në kontinent, duke përfshirë në Alpe – të cilat kanë humbur rreth 10 % të akullit gjatë dy viteve të fundit.

Megjithatë, autorët e raportit, vunë në dukje disa përjashtime, si për shembull, se si temperaturat ishin nën mesataren në Skandinavi dhe Islandë, edhe nëse temperaturat ishin më të larta se mesatarja, në pjesën më të madhe të kontinentit në tërësi.