Opinione
Pse duhet t’i pranoni homoseksualët*
Ju duhet t’i pranoni dhe respektoni homoseksualët, sepse të qenit homoseksual nuk e bën askënd njeri të keq, kurse të qenit homofob po, sepse njeriun e mirë e bëjnë veprat dhe jo preferencat seksuale
I
Duke ditur qëndrimet e shumicës rreth çështjes në fjalë, besoj se shumë prej jush keni marrë ethe vetëm nga titulli më lartë. Megjithatë, sado që të jetë provokues titulli, dua atë shtjelloj se homoseksualët nuk është se kërkojnë dashurinë tuaj, ata vetëm dëshrojnë respektimin e të drejtave të tyre që iu garantohen me ligj. Më tej, unë dua që ju të merrni kohën të lexoni disa rrëfime të shkurta më poshtë dhe kur arrini t’i dilni në fund këtyre rreshtave, edhe nëse nuk pajtoheni, ju premtoj se së paku do të mësoni diçka të re për homoseksualët. Kjo nuk do të thotë se ju duhet të pajtoheni me të qenit homoseksual, por shpresoj se rrëfimet dhe argumentet do të shërbejnë që së paku të arrini toleroni dhe respektoni të drejtën e tyre të jenë të tillë.
Arsyeja pse mora kohën të shkruaj për temën është për shumë arsye. E para, homofobia që ekziston në shoqëritë shqiptare. Për shembull, një sondazh i organizuar nga European Social Survey (ESS) në vitin 2013 tregonte se Shqipëria është një ndër vendet më homofobike në Europë, dhe njëkohësisht besoj se kjo qëndron edhe në Kosovë. Arsyeja tjetër ishte një dokumentar që trajtonte homoseksualitetin në Shqipëri i realizuar nga një medium amerikan që tregonte për homofobinë në shoqëritë shqiptare ku shpërfaqej urrejtja ndaj tyre. Arsyet e tjera janë injoranca e qytetarëve që shpërfaqet në emisionet sikur ai i realizuar nga Gazeta Express, por përçimi i urrejtjes nga homofob si Ragip Halili, i ashtuquajtur autor që ushqen urrejtje dhe kontaminon mendjet e të rinjve duke propaganduar injorancë tek studentët me tekstet e tij, duke i cilësuar homoseksualët si “njerëz të sëmurë.”
Pra, mund të konstatohet se homofobia është mëse prezente në Kosovë, dhe e dyta, mendoj se do të ishte shumë e freskuese për inteligjencën e secilit nga ju që të ekspozoheni me tabu-tema per shkak se tema si kjo vazhdojnë të injorohen dhe rrjedhimisht lejojnë hapësirë që njohuritë e vetme për tema si kjo formohen nga paragjykimet që përcillen prej gjeneratës në gjeneratë. Prandaj ka rëndësi t’i shtrojmë këto tema, sepse unë jam i bindur thellë se vetëm atëherë kur i sfidoni bindjet tuaja me argumente të reja arrini të mësoni diçka të re në lidhje me temën, ku gjthashtu ju bën të jeni më tolerantë, dhe njëkohësisht më respektues për drejtat e të tjerëve edhe kur nuk pajtoheni me to.
Edhe unë jam rritur në Kosovë dhe sigurisht se bindjet e mia në lidhje me temën kanë qenë poaq injorante, dhe ballafaqimet me argumente të reja më kanë shkaktuar një tronditje afatshkura mendore, por në kontekst afatgjatë më ka ndihmuar të jem më pak paragjykues, më tolerant, më respektues dhe më imun ndaj neveritjes. Ja me pak rreshta dy ballafaqimet e mia të para me temën, por edhe me individë që deklaroheshin haptas se ishin homoseksualë.
Ballafaqimi i parë ka qenë në kolegj në New York. Në njërën prej klasave të shkencave sociale diskutohej për të drejtat e homoseksualëve si dhe trajtimi i tyre nga shoqëri të ndryshme. Derisa debatohej hapur, unë me injorancën e importuar ballkanase shprehesha me bindje se homoseksualiteti është zgjidhje individuale dhe gjithashtu një lloj sëmundjeje. Aty kishte studentë që sigurisht habiteshin me qëndrimet e mia, mirëpo aty kishte edhe disa që ishin haptas homoseksualë. Një nga ta ishte një një çun dikur rreth jo më shumë se 20 vjeç dhe derisa debatonim me një qetësi që mua mu dukej e çuditshme më pyeti, “pse unë mendoja se ishte zgjidhje dhe jo diçka e lindur?” Duke marrë parasysh se unë nuk isha ballafaquar kurrë me këto tema, as në bankat shkollore e e aq më pak në shtëpi, sigurisht se nuk kisha ndonjë argument inteligjent përveç se të qëndroj pas bindjes që ishte formuar nga paragjykimet e tjerëve dhe qëndroja prapa asaj se homoseksualët kishin zgjedhur vetë të janë të tillë dhe ashtu edhe u përgjigja. “Vetë ke zgjedhur”. “Mirë”, më tha çuni, derisa vazhdonte me një tonin e tij të mërzitshëm dhe të njëtrajtshëm, “po pse mendon se unë zgjedh të jem pjesë e një grupi njerëzish që janë të diskriminuar, që nuk gëzojnë të drejta të barabarta, të paragjykuar dhe të shpeshherë pre e dhunës fizike dhe mentale nga e gjithë shoqëria?”. “Po ku e di unë pse ke bërë një zgjidhje të tillë,” ia ktheva. “Ndërro pra”.
Ai më shpjegoi se vinte nga një shtet jashtë New York-ut dhe vazhdonte të më sfidonte me pyetje sikur një moderator i matur, derisa profesoresha dhe studentët tjerë vazhdonin të na dëgjonin. “Ti mendon se unë kam dëshirë të bëj një zgjidhje ku jam i urrejtur nga babi im dhe shumë familjarë të tjerë që nuk më pranojnë kështu siç jam?”, vazhdoi më tej ai duke më treguar që as i ati nuk pajtonte me preferencat a tija seksuale dhe kishte mëse katër vite që nuk kishte komunikuar me të, por edhe kishte shkaktuar probleme brenda familjes. “Po nuk i di relacionet e tua me prindër” i thashë unë “por as nuk arrij të kuptoj zgjidhjen tuaj që tani të ka shkatërruar lidhjet familjare”, duke vazhduar në të njejtën trajektore mendimi, por duke mos gjetur përgjigje për pyetjen e tij.
“Po mirë shumë”, vazhdoi ai, derisa më shikonte në sy. “Nëse insiston se preferenca ime të jem homoseksual paska qenë një zgjidhje dhe këtë zgjidhje e paskan të gjithë, atëherë më trego t’lutem moshën kur ti paske vendosur që të mos jesh homoseksual, por të vazhdosh jesh atraktiv vetëm me gjininë e kundërt?”. “Çfarë moshe ke qenë kur ke vendosur të dashurosh femra e jo meshkuj?”, ishte pyetja e tij më këmbëngulëse deri në atë moment.
“Çfarë flet”, ia ktheva me habi, “unë gjithmonë kam qenë kështu dhe nuk është se kam pasur një moment kur kam zgjedhur ose menduar se cila është preferenca ime”. “Fort mirë”, ma ktheu “edhe unë ashtu krejt sikur ti. Kam lindur i tillë dhe nuk është se ka qenë një moment në jetën time të vendos nëse do të dashuroj femra apo meshkuj, por jam lindur si i tillë sepse që në moshën 6 vjeçare kujtoj kur kam ndje simpati ndaj meshkujve dhe kjo ndjenjë vetëm se çka është përforcuar me kohën”.
Tani mund të them lirisht, miq, se kjo ishte hera e parë kur nuk kisha një përgjigje dhe ndjeva sikur humba virgjerinë intelektuale në lidhje me temën. Thellë në brendësi ende mbaja bindjen time rreth homoseksualëve, mirëpo të njejtën kohë argumentet e çunit kishin krijuar një kaos në kokën time, dhe tanimë në asnjë moment nuk arrija të gjeja një kundërshtim valid rreth argumentit se ai nuk kishte zgjedhur të jetë homoseksual, por kishte lindur i tillë. Pra, ky ishte ballafaqimi im i parë, mirëpo kjo ishte një kohë kur unë ende nuk kisha njohur një homoseksual përsëafërmi dhe sigurisht se paragjykimet e pjekura me dekada tanimë vazhdonin të qënrdonin të ngulitura në mëndjen time.
II
Hera e dytë ishte me një profesoreshë timen të filozofisë, e cila mbante titullin doktor shkence. Ajo më ndihmonte shumë me orë shtesë si tutor, ku ushtroja për të përforcuar mënyrën e argumentimit dhe sidomos stilin e shkrimit të eseve, diçka që unë kisha shumë probleme, ngase stili i vetëm që kishim mësuar të shkruanim ishin hartime koti të shkollave fillore ku tregonim për “pushimet verore në fshat.” Në klasën e profesoreshës debatohej për seksin, eutanazinë, religjionet, abortimet, homoseksualitetin e çka jo tjetër. Njëra nga shumë detyrat ishte të bëjmë një ese rreth homoseksualëve dhe të argumentonim për ose kundër të drejtës së martesës mes tyre. Unë veç se fillova të mësoj të shkruaj drejt, por jo edhe të argumentoj dhe esenë e dorëzova tek profesoresha me përafërsisht të njejtën linjë banale duke argumentuar se nuk ishte në rregull të jesh homoseksual dhe duke aluduar se duhet të jetë një “sëmundje” pa pasur as edhe dëshminë më të vogël për këtë.
Pasi mbarova provimin me profesoreshën në fjalë, unë vazhdoja të kem kontakt me të sepse ende kishte raste kur e konsultoja për ndonjë ese ose edhe kërkoja ndihmë për përzgjedhjen e lëndëve që më duheshin për diplomim. Herën e fundit u takuam në zyren e saj ku isha për konsultim për të më sqaruar se cilat lëndë më nevojiteshin për të diplomuar në degën time, dhe sapo hyra në zyren e saj vërejta se ekranin e saj të kompjuterit kishte një foto me tre fëmijë që ishin mes moshës 4 dhe 10 vjeç. Njëri nga fëmijët ishte afrikano-amerian, kurse dy vajzat ishin të bardha. Pas fëmijëve në foto gjithashtu qëndronte një grua që dukej në mes të tridhjetave. Sa pashë e komplimentova se sa të bukur ishin fëmijët dhe njëkohësisht e pyeta se kush ishin. “Janë fëmijët e mi,” ma ktheu me buzëqeshje. Isha pak i habitur për dallimin e racave, mirëpo ajo shumë shpejt më sqaroi duke më treguar se i kishte adaptuar që të tre. “Sa mirë” i thashë. “Po kjo gruaja që qëndron pas tyre kush është?” vazhdova unë kurioz. “Partnerja ime,” ma ktheu. “Bashkë i kemi adaptuar që të tre.” Të nderuar lexues! E keni ndëgjuar atë thënien “sikur t’më kishte ra kulmi mbi kokë.” Ishte ndjenja më e vështirë dhe besoja se po të gjeja një vrimë miu do të kaloja vetëm të iki nga aty.
Unë isha ai që kisha argumentuar në njërën nga esetë në lëndën e saj se “homoseksualiteti ishte sëmundje”, kurse tani kisha përballë një njeri që e çmoja dhe kisha shumë respekt. Bindja e krijuar nga paragjykimet më kishte mësuar se këta individë ishin “të sëmurë” dhe me probleme mendore, kurse tani para meje kisha një person shumë të çmuar, humaniste, doktoreshë shkencash dhe autore e disa librave. Nuk arrija të balansoja kontradiktat mes bindjes që kisha dhe ndjenjave dhe respektin për individin që kisha përballë. Pasi më tregoi për partneren e saj, biseda mes nesh në zyrën e saj ka zgjatur shumë pak minuta, por që mua si sot më kujtohet si të kishte qenë i gjatë sa një vit i tërë. Pasi mbarova, me kokëulur pëshpërita me një turp fëmije duke i kërkuar falje për qëndrimet banale dhe tanimë mezi prisja të ikja nga aty. Më dalloi se isha në siklet të madh dhe para se të dal më tha: “Dimal, ti je një student shumë i mirë dhe është në rregull të kesh bindje ndryshe, mirëpo unë dua vetëm të them se lidhja mes homoseksualëve është formë dashurie e jo formë sëmundje.” Prej atëherë ka ndodhur që vetëm edhe njëherë të takoj profesoreshën në fjalë dhe gjithmonë e kam evituar t’i dalë përballë nga turpi. Mirëpo, njëkohësisht, prej atij momenti i kam pas premtuar vetes se nuk do t’i gjykoj njerëzit për preferencat që mbajnë, por për veprat që bëjnë.
Tek më vonë pas disa kërkimeve kuptova se edhe matematicienti Alan Touring kishte qenë homoseksual, njeriu që merr atribute për fitoren kundër nazistëve për shkak se kishte arritur të thyejë kodin komunikues që përdorin nazistët dhe vetëm 60 vjet pas vdekjes së tij mbretëresha kishte lëshuar një pardon dhe i ishte ndarë çmimi për punën e tij. Kurse sot, në mesin e homoseksualëve është edhe ish kryeministrja e Islandës, e cila kishte deklaruar haptas se ishte homoseksuale, sikur edhe që kanë bërë Tim Cook, drejtues i Apple, njëra prej kompanive më të famshme dhe të pasura në botë, Guido Westerwelle, ish-ministër i punëve të jashtme të Gjermanisë, prezantuesi i CNN Anderson Cooper, romancieri i famshëm anglez Stephen Fry, e shumë shumë të tjerë që gëzojnë respekt në mbarë botën për punën dhe veprat e tyre.
III
Tani të kthehemi pak përtej Atlantikut, tek vendi i hartimeve dhe shqiponjave. T’jua kujtoj një gjë. Shoqëria jonë gjithmonë ka pasur homoseksualë, por injoranca e trashëguar nuk ka lejuar që as ne të dimë më mire, por as homoseksualët të shpërfaqin publikisht ndjenjat e tyre. Mendoj se çka është edhe më e vështirë, është se ka prej atyre, besoj unë, që janë homoseksualë, mirëpo të njejtën kohë janë martuar me gjininë e kundër vetëm për shkak të presionit që iu ka ardhur nga familja, rrethi dhe shoqëria në përgjithësi. Ka prej tyre që me siguri kanë edhe fëmijë. Mirëpo, çka dua t’ju kujtoj tani është se edhe shoqëria shqiptare do të civilizohet gradualisht dhe do të jetë më tolerantë kundrejt këtij grupi njerëzish dhe rrjedhimisht do të kuptoni se se si shume prej tyre do të divorcohen dhe eventualisht do të shprehin haptasi preferencën e tyre. Kjo sigurisht nuk do të ndodhë shpejt, sepse është proces që lëviz ngadalë, mirëpo kjo eventualisht do të ndodhë me apo pa dashjen tuaj prandaj derisa ofshani së ofenduari, unë më mire ju sugjeroj të vazhdoni së lexuari dhe qëndroni mendjehapur rreth çfardo teme tabu, sepse kjo ju ndihmon të zhvilloni njohuri dhe të jeni më tolerantë kur ballafaqoheni me çështjen në fjalë që mund t’ju prekë në rreth apo familje.
Për fund, duhet kuptuar që nuk e kam për synim që të të pajtoheni me preferencat e tyre seksuale të tyre, mirëpo ju e keni obligim dhe detyrim që të respektoni të drejtën e tyre që ata apo ato të zgjedhin lirshëm kë të dashurojnë, sepse siç edhe flet vetë rrëfimi im më lartë, preferencat e një individi nuk janë pasqyrë për karakterin e një njeriu dhe nëse qëndroni mendjehapur do të keni rastin të kuptoni se homoseksualët nuk janë ndryshe nga ju. Në mesin e tyre ka shkencëtarë, shkrimtarë, inteligjentë, flozofë, mësues, dashamirë, humanistë dhe individë shumë inteligjent dhe të suksesshëm që gëzojnë respekt në gjithë botën për punën dhe veprat e tyre. E vërteta qëndron se të gjithë mund të gjejmë një homoseksual që është njeri më i mirë, më i drejtë, më i besueshëm, më i suksesshëm, më inteligjent se një heteroseksual dhe ky fakt i vetëm duhet t’ju frenojë në paragjykimin apo urrejtjen ndaj tyre. Prandaj, ju duhet t’i pranoni homoseksualet dhe t’i respektoni homoseksualët, sepse të qenit homoseksual nuk i bën njerëz të këqinj, kurse të qenit homofob po, sepse njeriun e mirë e bëjnë veprat dhe jo preferencat seksuale.
- Ky është një opinion i autorit dhe nuk pasqyron qëndrimin editorial të redaksisë. Është botuar së pari nga gazetaexpress.com.
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?