Lajme
Pse në Berlin do të ketë një tjetër grevë dy-ditore të transportit publik këtë javë?

Transporti publik në Berlin do të përballet sërish me ndërprerje të konsiderueshme këtë javë, pasi punonjësit e transportit do të ndalojnë punën për 48 orë, duke nisur nga e mërkura. Përse kryeqyteti gjerman po përjeton greva të njëpasnjëshme në transport – dhe si do të preken pasagjerët?
Berlini do të nisë një grevë 48-orëshe të transportit më 26 mars, e cila do të ndalojë funksionimin e metrosë (U-Bahn) dhe tramvajit të qytetit, si dhe shumicën e linjave të autobusëve, transmeton albinfo.ch.
Për banorët e Berlinit, kjo situatë mund të shkaktojë një ndjesi déjà vu, pasi qyteti sapo përjetoi një grevë dyditore javën e kaluar, në të njëjtat ditë. Kjo do të jetë greva e katërt e punonjësve të kompanisë së transportit Berliner Verkehrsbetriebe (BVG) që nga fillimi i vitit.
Greva pason raundin e gjashtë të negociatave mes sindikatës Verdi dhe punëdhënësve të BVG-së.
Ashtu si në grevat e mëparshme, transporti do të ndalet rreth orës 3 të mëngjesit të së mërkurës, me fillimin e turneve të hershme. Operimet pritet të rifillojnë dy ditë më vonë, rreth të njëjtës orë, të premten në mëngjes, shkruan The Local.
Si do të ndikohen pasagjerët?
Ata që kanë përjetuar grevat e mëparshme të BVG-së e dinë tashmë procedurën. Të gjitha linjat e metrosë dhe tramvajit do të ndalohen gjatë gjithë kohëzgjatjes së grevës, ashtu si edhe shumica e autobusëve.
Megjithatë, disa linja autobusësh do të vijojnë të funksionojnë. Këto janë: 106, 114, 118, 133, 161, 168, 175, 179, 204, 218, 234, 263, 275, 316, 318, 320, 326, 325, 493, 34, N12, N23, N35, N39, N53, N61, N63, N69, N84, N91, N95 dhe N97, sipas BVG-së.
Linjat 112, 124, 184, 744, 893, N68 dhe X36 do të funksionojnë me shërbime të kufizuara.
Tragetet publike të BVG-së dhe shërbimi Muva nuk preken nga greva. Po ashtu, trenat S-Bahn (të operuar nga Deutsche Bahn) do të vazhdojnë funksionimin.
Pse po ndodhin kaq shumë greva në Berlin?
Deri më tani, BVG dhe sindikata Verdi nuk kanë arritur një marrëveshje për rritjen e pagave. Verdi kërkon një rritje mujore prej 750 eurosh, një bonus prej 300 eurosh për ndërrimet e alternuara dhe pagën e muajit të 13-të.
BVG thotë se ka bërë përpjekje për të përmbushur kërkesat, me ofertën e fundit që parashikon një rritje prej 13.6% brenda dy vitesh. Megjithatë, Verdi e ka cilësuar këtë ofertë si “larg” kërkesave të saj.
Sipas mediave gjermane, BVG e ka dënuar grevën e radhës “në termat më të fortë të mundshëm”. Nga ana tjetër, Verdi fajëson punëdhënësit dhe Senatin e Berlinit për mungesën e zgjidhjes.
A pritet një grevë e pacaktuar?
Gjasa që kjo të ndodhë është e madhe. Edhe pse BVG kërkon që bisedimet të kalojnë në fazën e ndërmjetësimit, Verdi do të mbajë një votim nga 27 marsi deri më 4 prill për të miratuar një grevë të pacaktuar.
Nëse 75% e punonjësve të BVG-së, anëtarë të sindikatës, e refuzojnë ofertën dhe e mbështesin grevën, atëherë mund të pritet një grevë e pacaktuar që do të prekte më shumë se vetëm dy ditë.
Greva përkeqëson kaosin e trafikut
Nuk ka asnjë moment të përshtatshëm për një grevë, por greva e kësaj jave përkon me një periudhë kaotike për trafikun në qytet.
Mbyllja e urës Ringbahn në A100 ka shkaktuar bllokime masive trafiku në pjesën perëndimore të Berlinit. Në këtë kontekst, as përdorimi i makinës nuk përbën një alternativë të mirë. Trenat S-Bahn gjithashtu kanë përjetuar ndërprerje dhe vonesa të konsiderueshme javën e kaluar, duke mos qenë një zëvendësim i besueshëm për metronë.
E-Diaspora
-
Mediat italiane shkruajnë për vizitën e Nita Shalës në komunat Arbëreshe Vizita e Ambasadores së Kosovës në Itali, Nita Shalës në komunat Arbëreshe në Cosenza po pasqyrohet...
-
Suedi: Në kuadër të Muajit të Frankofonisë, shfaqen dy dokumentarë nga regjisorët shqiptarë
-
Hap dyert Shkolla Shqipe në Frauenfeld në kantonin Thurgau
-
Diaspora solli në Shqipëri gati 1 miliardë euro
-
Dy motrat shqiptare nga Italia në Kampionatin për Shah
Jeta në Zvicër
-
Numri i aksidenteve me biçikletë ka pësuar një rritje të dukshme në Zvicër Numri mesatar i aksidenteve me biçikletë në rrugët zvicerane është rritur me 50% gjatë dhjetë viteve...
-
A do të bëhet realitet rrjeti hekurudhor i shpejtësisë së lartë në Evropë?
-
Gratë beqare sfidojnë ligjin zviceran për të bërë fëmijë, aplikojnë ‘turizmin e fertilitetit’
-
Google lancon kërkimin me AI në Zvicër
-
Qeveria Federale dhe kantonet planifikojnë një task forcë kundër azilkërkuesve që shkelin ligjin