Shqipëria

Protestë në Tiranë kundër migrimit të rinisë

“Ti Shqipëri s’më jep nder, më jep emrin mërgimtar”, ishte parulla kryesore e të rinjve të Lëvizjes Socialiste për Integrim që protestuan para Kuvendit të Shqipërisë.

Në mënyrë simbolike, ata kanë vendosur para Parlamentit 200 këpucë me flamujt e vendeve të BE-së, ku kanë emigruar të rinjtë shqiptarë. “Jemi në këtë protestë simbolike bashkë me të rinjtë dhe të rejat, të cilët kanë zgjedhur  të protestojnë duke refuzuar këtë qeveri, duke refuzuar Edi Ramën, duke refuzuar largimin masiv të të rinjve dhe të rejave nga vendi.

Çdo këpucë sot përfaqëson një të ri, një të re, një familjar tonin, të cilët janë larguar”, tha njëri prej protestuesve. Sipas protestuesve, 80% e të rinjve nuk punojnë dhe nuk kanë shpresë nga qeverisja aktuale për të qëndruar dhe për ta ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri.

Në mbrëmje opozita do t’i mbyllë disa akse rrugore në protestën e radhës kundër Qeverisë.